Kryeministri Edi Rama nga Laçi ku u ndal t’i jepte çelësat e banesave 520 familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, tha se kishte dy vite që e priste këtë moment. Rama deklaroi se paralelisht me shtëpitë është ndërtuar edhe një infrastrukturë nëntokësore për të shmangur problemin e përmbytjes së të gjithë qytetit.
“Kam dy vite që e pres këtë moment sepse këtu ka qenë një nga plagët më të nxehta që hapi tërmeti. Janë shumë më tepër se kaq. Këtu ne kemi rindërtuar shkolla dhe vazhdojmë të rindërtojmë shkolla dhe kopshte. Jemi duke ndërtuar një lagje të re nga ana tjetër. 200 apartamente të tjera me buxhetin e shtetit.
Jemi duke ndërtuar spitale që shpresoj që në pranverë do të jetë gati. Kemi bërë ndërhyrje masive. Pasi edhe një shi vere përmbyste gjithë qytetin. Qyteti nuk pati asnjë problem sepse është ndërtuar një infrastrukturë nëntokësore për ta zgjidhur këtë problem. Po vazhdojnë të ndërtohen një sërë banesash individuale. Nuk ka kuptim të paguajmë kosto më të lartë për shkak të kompanive dhe do ia japim lekët në dorë familjeve që t’i bëjnë shtëpitë”, tha Rama.
Ai u shpreh se banorët e Laçit po futen në banesa me standarde si në Tiranë por falas me dokumente pronësie. Por në këtë pikë ai pati edhe një batutë, duke këshilluar banorët e kësaj zone që njihen si bastion i djathtë që të bëjnë kujdes se mos i ndërrojnë bravat.
“E kam pritur këtë moment. Që nga thashethemi që do i ndërtojnë por do na i japin me lekë. Ja ku jemi sot këtu. Këtë lagje që do donte ta kishte kushdo në Tiranë e keni ju. Ndryshe nga pallatet në Tiranë me këto standarde që kushtojnë shumë shtrenjtë, ju do i keni falas, me dokumente pronësie. Duke qenë se ju votoni masivisht atë partinë tjetër duhet të bëni kujdes se mos ju ndërrojnë bravat.
Ajo partia e shumicës. Aman ngrijini dy gishta se më mori malli nuk po shoh dy gishta askund. Banesat janë bërë për të gjithë të prekurit nga tërmeti. Për ata që duan të bëjnë foto me mua dhe për ata që ma lexojnë librin e shtëpisë sa kaloj në rrugët e Laçit. Rindërtimi është për të gjithë. Dhe si e kam thënë ditën e parë nga dheu do i nxjerrim lekët dhe ju do hyni në shtëpia më të mira se ato që keni pasur”, deklaroi Rama.
Ndërsa zv/kryeministri Arben Ahmetaj tregoi një episod të bisedës së Ramës me Erdogan për të arritur konsensusin për investimin në Laç.
“Kur Rama dhe Erdogan u ulën disa ditë pas tërmetit, ku kryeministri i kërkoi ndihmë. Presidenti turk tha se do gjendej pranë popullit shqiptar. Kryeministri i tha atë që do na jepni duam ta bëjmë në Laç. Nuk kemi pasur pak halle por ja ku jemi sot. 520 familje marrin shtëpi të reja falas. E gjithë Shqipëria e ka pritur këtë mrekulli. Sigurisht që t’i kërkosh familje që janë pa strehë të presin nuk është e drejtë. Dua ta mbyll duke e falënderuar qeverinë turke dhe presidentin Erdogan”, tha ai. m.v/Abcnews.al