Rama: Brenda vitit të ardhshëm në telefon do keni asistentin digjital, i ngjashëm me “siri-n”

schedule12:39 - 27 Prill, 2022

schedule 12:39 - 27 Prill, 2022

Një aktivitet informues mbi zgjerimin e shërbimeve online dhe mbylljen e sporteleve u zhvillua sot, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, i cili theksoi në fjalën e tij se aktualisht “jemi në një fazë ku përmbyllim një pjesë të konsiderueshme të revolucionit digjital dhe i japim një goditje, një shkelm”. Kryeministri bëri me dije projektin e radhës, duke deklaruar se brenda vitit të ardhshëm, në e-albania do të jetë asistenti digjital (me zë) i ngjashëm me Siri-n, një shërbim që ofrohet në telefona celularë për të bërë kërkime në internet apo për shërbime të tjera.

Ndërkohë, ne kemi filluar projektin tjetër për të pasur brenda vitit të ardhshëm asistentin me zë, po këtu, siç është Siri, për shembull, që besoj e dini që futesh aty dhe e pyet, kështu do të jetë Asistenti Digjital i çdo qytetari që për t’u interesuar, për të marrë përgjigje, për një shërbim të caktuar, për një mënyrë sesi merret shërbimi apo për çfarëdo qoftë që ka të bëjë me shërbimet, do ta ketë në telefon asistentin me zë dhe nga shtëpia do t’i kërkojë përgjigje për të gjithë atë gamë që lidhet me shërbimet me dokumente.

Thënë të gjitha këto, mbetet i rëndësishëm përsëri njeriu. Mbetet i rëndësishëm përsëri roli juaj dhe gjithë atyre që janë aktualisht deri në datën 1 maj nëpër sportele. Mbetet i rëndësishëm shërbimi i atyre që deri në 1 maj do vazhdojnë të jenë në zyrat e ADISA-s, të cilat do të mbyllen në 1 maj. Nuk do ketë më zyra ADISA në 1 maj, do të mbyllen për të hyrë njerëz nga jashtë brenda, por nga brenda do të vazhdojë puna për të bërë pikërisht këtë, për të vazhduar shërbimin ndaj qytetarëve në mënyrë që gjithë procesi i aplikimeve të jetë një proces i suksesshëm dhe që askush në asnjë hallkë të tij të mos e pengojë këtë proces.

Është dhe një pjesë tjetër që ka të bëjë me mënyrën si do funksionojë procesi, që ka të bëjë me penalitetet, dhe me shkallët se si do të analizohen të gjitha ato hallka të sistemit, flas për njerëzit, që do të bëhen shkak për vonesa apo për pengesa. Por nuk është kjo dita për të folur për këtë pjesë dhe nuk është roli im për të folur për këtë pjesë. Ajo që dua të them në fund është që ne me këtë sistem sot kemi mundësinë ta çojmë në një nivel krejt tjetër marrëdhënien mes qytetarëve dhe shtetit dhe kemi mundësi që ta bëjmë Shqipërinë, vendin ku fjala shërbim për qytetarët dhe fjala shërbim nga shteti të marrë kuptimin e vetë më të plotë dhe më kuptimplotë.Sistemi është i gjithi gati. Pjesa dërrmuese e sistemit është e testuar. Ka disa pjesë që do të testohen në proces se përndryshe as nuk kishin për t’u bërë kurrë, sepse nuk është vetëm gjendja civile. Janë disa institucione që në mënyrë të paarsyeshme janë vonuar, pra nuk e kanë shfrytëzuar sistemin maksimalisht. Dhe në fund do ju them një anekdotë që është reale, nuk është barsoletë: Qeveria e Shqipërisë, qeveria jonë, kabineti ynë qeveritar, e kishte gati sistemin e funksionimit për të mos pasur më qarkullim letrash dhe për të mundësuar që të gjitha aktet që kalojnë në qeveri, të vinin në Këshillin e Ministrave dhe të materializoheshin pa letra. E kishim sistemin aty. “, tha Rama.

Teksa po fliste për mbylljen e sporteleve kryeministri është shprehur se i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme që të marrë të gjithë printerat dhe letrat nga zyrat e Gjendjes Civile. Rama thotë se kjo do bëhet me qëllim që të ju kursehet kohë qytetarëve dhe para shtetit.

“I kam kërkuar në një mbledhje parapërgatitore për këtë, para 2 ditësh sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Brendshme që Ministria e Brendshme duhet të marrë të gjithë printerat dhe të gjitha letrat nga zyrat e Gjendjes Civile, komplet. Dhe në zyrat e Gjendjes Civile nuk do të ketë më printera dhe nuk do të ketë letra në mënyrë që të mos ketë më asnjë mundësi për të prodhuar ceritifkata  me letër sepse nuk ka nevojë. Është humbje kohë për njerëzit, është para për shtetin, është para dhe për njerëzit. Janë 7 milionë euro që janë kursyer vetëm nga ato pagesat e vogla të sporteleve për të marrë letra. Vetëm për letrat u janë kursyer njerëzve 7 milionë euro, do ju kursehen dhe më shumë”, tha kryeministri.

Revolucioni digjital, i cili po transformon rrënjësisht marrëdhëniet e shtetit me qytetarët, duke hedhur bazat e një sistemi të sigurt antikorrupsion në shërbimet e ofruara, shënon tashmë një fazë të re, atë të mbylljes së sporteleve fizike në institucionet shtetërore dhe ofrimin e shërbimeve me dokumente përmes platformës kombëtare digjitale. Ky është hapi i radhës pas kalimit të 95% të shërbimeve publike vetëm online, që ndryshon përgjithnjë shërbimin e administratës publike ndaj qytetarëve dhe biznesit. Ndërkohë që, në raportin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për vitin 2021-2022, Shqipëria është ngjitur në vendin e 17-të në treguesin e shërbimeve publike, duke zënë vendin e parë në rajon e duke lënë pas vende të rëndësishme të Bashkimit Europian.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!