Nga Lezha, teksa u takua me pronarët e bujtinave, kryeministri Edi Rama tha se brenda vitit 2022 të gjitha qendrat urbane do të kenë 24 orë ujë.
“Brenda fundit të vitit 2022 të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë do të kenë ujin e garantuar sepse të gjitha janë në kantier ose në ndërtim e sipër. I vetmi vend ku është problem edhe më i madh është Tirana që mund të zgjasë deri në 2023. Për të pasur 24 orë ujë në të gjithë hapësirën e vet. Kam parasysh jo vetëm bashkitë brenda për brenda por edhe komunat më të populluara”, tha Rama.
Rama deklaroi i bindur se Partia Socialiste do të vijojë të jetë në pushtet pas 25 Prillit, pavarësisht asaj që thonë kundërshtarët politikë.
“Ne do jemi në qeveri pavarësisht se çfarë thonë. Çdo gjë që themi sot nuk është më si në 2013. Ne kemi dhe gurin për ta hedh edhe arrën për ta vënë përpara. Kështu që prandaj nuk kemi program elektoral por plan. Të gjitha do t’I bëjmë sepse janë të planifikuara. Jo se mendojmë ne që do i bëjmë. Njerëzit mendojnë që në fushatë politikanët mashtrojnë, gënjejnë”, tha Rama.
Ai shkëmbeu batuta me një nga pjesëmarrëset në takim duke i kërkuar të mos e falenderojë për ndërtimin e rrugës sepse qeveritë për këtë punë janë dhe jo për të bërë vezë të kuqe.
“Mos më falendero për rrugën se për detyrën jemi zgjedhur, nuk jemi zgjedhur për të bërë vezë të kuqe. Për detyrën ishin edhe ata përpara, por dihet se çfarë bënë. Si rruga që kishe ti ka plot rrugë të tjerë. Ne nuk mund t’i bëjmë të gjitha në këtë kohë sepse nuk mundemi”, u shpreh Rama
Kreu i qeverisë gjithashtu deklaroi se do të nisë ndërtimi i një shkolle me financim nga buxheti I shtetit për agro-turizmin.
“Unë dëshiroj të ngremë një shkollë me ju për investimin në agroturizëm. Jo të ndërtojmë një bujtinë dhe të prodhojmë djathë por një bujtinë të lidhur me historinë familjare. Përmes jush kjo shkollë të frymëzojë të tjerë që kur e dëgjojnë nga unë dhe Pjerini nuk e besojnë. Thonë këta po na tregojnë përralla. Për këtë shkollë do financojmë ne dhe ju do jeni mjeshtrat që përçoni dijen”, deklaroi ai./mv.abcnews.al