Rama: Brenda dy javëve të para të Marsit vijnë 14 mijë vaksina AstraZeneca nga COVAX

schedule10:53 - 28 Shkurt, 2021

schedule 10:53 - 28 Shkurt, 2021

Brenda dy javëve të para të marsit do të mbërrijnë në Shqipëri sasitë e para të vaksinave AstraZeneca nga mekanizmi COVAX ku bën pjesë edhe vendi jonë. Lajmin e ka bërë me dije kreu i qeverisë Edi Rama me anë të postimit në Facebook teksa pa nga afër procesin e vaksinimit që po vazhdon në stadiumin Air Albania. Rama thekson se me mbërritjen e kësaj vaksine do të nisë menjëherë vaksinimi i mësuesve.

“Nesër mbërrijnë 15 mijë doza të tjera Pfizer dhe brenda dy javëve të para të marsit COVAX ka konfirmuar më në fund, nisjen e furnizimit me vaksinën AstraZeneca, të cilën do ta fusim menjëherë në procesin e vaksinimit të mësuesve”, shkruan Rama.

Ministrja e Shëndetëisë Ogerta Manastirliu gjatë bashkëbisedimit me kreun e qeverisë zbulojnë se do të jenë 14 mijë vaksina që do të vijnë në Shqipëri në javët e para të Marsit.

Presim 15 mijë vaksina nga Pfizer nesër dhe brenda 10 ditëshit të parë të Marsit 14 mijë vaksina nga COVAX për vijimin e vaksinimit për personat deri në 65 vjeç siç rekomandohet përdorimi i kësaj vaksine”, tha ministrja.

Rama theksoi se janë në bisedime për të siguruar doza të tjera vaksinash dhe situata duket e mirë, megjithatë theksoi se nuk duhet folur para kohe. “Mbetet sfida të sigurojmë sasi të konsiderueshme. Shpresojmë të kemi lajme të mira shumë shpejt. Kontaktet janë të vazhdueshme. Duket mirë, duket mirë por të mos flasim para kohe”, u shpreh ai./mv.abcnews.al