TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi se ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku i ka paraqitur tre herë dorëheqjen, por ka qenë ai i cili ia ka refuzuar.
Sipas Ramës, dorëheqja e parë është dorëzuar kur ndaj saj u ngrit akuza, e dyta pas pezullimit të parë nga detyra dhe e treta pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori një vendim për padinë e saj.
Kreu i qeverisë theksoi se nuk mund të pranojë një dorëheqje të diktuar, sipas tij, nga ndërhyrje jashtë kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv. Ai nënvizoi se përcaktimi i këtyre kushteve nuk i takon as prokurorisë, as gjykatës, as medias dhe as “gjyqit popullor”, por procedurave dhe standardeve të parashikuara nga ligji.
“Belinda Balluku ma ka dorëzuar tre herë dorëheqjen, i kam atje në dosje. Një herë kur iu ngrit akuza, herën e dytë kur iu bë pezullimi i parë, dhe herën e tretë pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim dhe të tre herët jam unë që kam refuzuar dorëheqje, sepse dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe është fut në territorin e pavarësisë pushtetin ekzekutiv nuk ka.
I jam falënderues për faktin që nuk ka persistuar, por ka vazhduar ta marrë të gjithë atë baltë mbi fytyrë, sepse unë nuk e pranoj dorëheqjen deri kur të plotësohen kushtet. Se kur plotësohen kushtet nuk e cakton dot as prokurori, as media, dhe as gjyqi popullor”, tha ai./abcnews.al


