Rama: BE nuk i qëndroi angazhimeve të veta dy herë

schedule22:05 - 24 Tetor, 2019

schedule 22:05 - 24 Tetor, 2019

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar këtë të enjte se Bashkimi Evropian nuk i ka qëndruar angazhimeve të veta dy herë.

Gjatë emisionit “Opinion” në televizionin Klan, ai tha së herën e parë bëhet fjalë për vitin 2018 dhe të dytën në Qershor të këtij viti.

“Tani unë nuk kam ardhur këtu dhe nuk i kërkojmë asnjë llogari Macronit, askujt. Faktikisht, BE nuk i ka qëndruar angazhimeve të veta dy herë. Një herë në 2018-n dhe njëherë në Qershor. Merreni lexojeni çfarë kanë thënë në Qershor. Kanë thënë për këtë çështje do të vendoset për në Tetor. Ajo e kushteve nuk është një arsye për të akuzuar Shqipërinë, ajo është një arsye për të kuptuar se procesi i integrimit dhe procesi i të gjitha vendeve që duan të futen në BE, është bërë gjithnjë e më i paparashikueshëm dhe gjithmonë e më i lidhur nga nevojat e brendshme të atyre nxjerrin bishta”, tha Rama.

Gjithashtu, Kryeministri Edi Rama pranoi se ka rritje të numrit të azilkërkuesve në Francë, duke shpjeguar edhe arsyet e këtij fenomeni.

“Patjetër, ka një arsye. Dhe arsyeja lidhet me faktin që fluksi i azilkërkuesve, që nuk janë politikë fare, janë qytetarë të Europës që njësoj si gjithë qytetarët e tjerë të Europës lëvizin për punë, por ndryshe nga qytetarët e BE nuk janë njerëz të lirë brenda tregut të punës, nuk mund të shkojnë të regjistrohen në punë, dhe shkojnë bëjnë kërkesë për azil për të fituar kohë. Deri në momentin kur Gjermania ishte një destinacion që ofronte një paketë bujare për ata që vinin për të bërë azilkërkimin, pra para, muaj të tërë për shqyrtim, nuk shkonte njeri në Francë. Kthesa filloi kur me Gjermaninë ne arritëm që të krijojmë atë që duhet, bazën e origjinës së sigurtë. Pra, Shqipëria është një vend origjine i sigurtë, nuk është në luftë”, tha kreu i qeverisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!