Mbrëmjen e sotme në studio me gazetaren Mirela Milori ka qenë i ftuar gazetari dhe analisti Erl Murati.
Murati ka shprehur opinionin e tij në lidhje me procesin e hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, ku sipas tij plotësimi i 9 kushteve të vendosura nga gjermania është thelbësor për këtë proces.
I pyetur nga gazetarja Mirela Milori se si e sheh 3-shen politike Rama-Basha-Meta, nëse janë të besueshëm, në lidhje me tryezën për dialog në zgjidhjen e krizës politike në vend, Murati tha se puna e tyre matet me rezultate dhe se Shqipëria padiskutim meriton një klasë më të mirë politike.
Murati gjithashtu tha se zgjedhje të parakohshme në vend nuk do të ketë për sa kohë nuk e dikton faktori ndërkombëtar.
Mirela Milori: Nëse do të hapen negociatat a do të ndryshojë gjë në jetën e qytetarëve, çfarë i sjell qytetarit?
Erl Murati: Nëse KE vendos hapjen e negociatave pa kushte nuk mund të presim që të nesërmen të hamë me lugë të florinjtë. Do të duhet kohë për këtë. Faktori ndërkombëtar i ka lënë gjykatës kushtetuese vendimin nëse zgjedhjet e 30 qershorit ishin legjitime ose jo. Nëse KE do ta vendosë këtë atëherë monitorimi ndaj Shqipërisë do të jetë i rëndësishëm. Gjithsesi realizimi i kushteve të vendosura nga faktori ndërkombëtar do të sjellë ndryshim në jetën e qytetarëve. Gjysmë “po” e Gjermanisë është lajm i mirë por fatkeqësisht sinjalet që vijnë nga Franca e Holanda janë negative. Procesi i integrimit të Shqipërisë ka nisur shumë vite më përpara dhe ne ende nuk kemi një zyrtar të arrestuar, ndërsa Maqedonia arrestoi prokuroren e posaçme, procedoi kryeministrin. Pra Maqedonia është më konkrete në plotësimin e kushteve.
Mirela Milori: Sa të besueshëm janë Basha- Rama- Meta, në tryezën e tyre për dialog?
Erl Murati: Puna e tyre matet me rezultate, padiskutim Shqipëria meriton një klasë më të mirë politike gjithsesi këta janë politikanë të votuar nga shqiptarët. Pra nëse ne kemi këta politikanë që na drejtojnë, janë votuar nga ne.
Mirela Milori: A janë të njëjtët? Sa besueshmëri do ketë kjo tryezë marrëveshjeje?
Erl Murati: Kryeministri Rama po punon shumë mirë derisa shqiptarët i dhanë votat për të qeverisur vetëm. Padiskutim “barra” apo “medalja” e turpit dhe e fajit bie mbi këtë klasë politike. Në stadin ku ne jemi, që Shqipëria është vend i varfër, ku shqiptarët dynden për të ikur, atëherë padiskutim mund të themi që këta janë personat që mbajnë barrën më të madhe të problemeve shqiptare. Ne vitet e fundit shohim që çdo lajm të madh që kemi, dosjet e tyre na i sjellin ndërkombëtarët, pra nuk kemi ndonjë operacion të organizuar nga policia shqiptare apo nga autoritetet vendase.
Mirela Milori: Basha ka bërë një mbledhje dje dhe ka mobilizuar strukturën për zgjedhje të parakohshme? A mendoni se vërtet do ketë zgjedhje?
Erl Murati: Unë mendoj që nuk mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme pa i diktuar ndërkombëtarët. Nuk mund të ndodhë nëse ata nuk e lejojnë, nuk e urdhërojnë dhe hë për hë lëvizjet e zotit Basha janë një ushqim me luge bosh për militantët e PD. Ishte një premtim i parealizuar i zotit Basha për zgjedhje të parakohshme pra e pati të pamundur. “De fakto” opozita ka hequr dorë nga protestat. Ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë për zgjedhje të parakohshme deri më 2021 por rol kyç luan faktori ndërkombëtar. Kjo e protestave është një lojë politike dhe mendoj që bëhet pas çdo zgjedhje lokale apo të përgjithshme.
Mirela Milori: Situatën e presidentit Meta si e shihni?
Erl Murati: Raporti i Komisionit të Venecias mendoj është i qartë, presidenti nuk ka bërë shkelje të renda të kushtetutës që të çojë në shkarkimin e tij. Iniciativa e PS mendoj se është një lloj presioni ndaj presidentit, nuk shoh ndonjë arsye pse duhet të japë dorëheqjen Meta./abcnews.al