Në prag të zgjedhjeve të 25 Prillit lufta politike sa vjen edhe bëhet më e egër mes Edi Ramës që kërkon një mandat të tretë, ndërsa Lulzim Basha rikthimin e PD-së në pushtet pas 8 viteve në opozitë. Por cili është perceptimi? Për të folur për këtë cështje i ftuar mbrëmjen e sotme në Radarin Informativ në ABC me gazetaren Jonida Shehu ishte pedagogu dhe politologu Mentor Beqa.
Bilanci i qeverisjes së Ramës, sipas tij është negativ. “Rama nuk ka një bilanc pozitiv. Largimi masiv i shqiptarëve është tregues se kemi një bilanc negativ në qeverisje. Propaganda e qeverisë përpiqet që të nxjerrë në pah dobësinë e kundërshtarit. Dy të dyja palët kërkojnë fitoren duke nxjerrë në pah dobësitë e njëri tjetrit” tha ai.
Por cilat janë defektet e Lulzim Bashës? “Kemi nivelin retorik dhe objektiv. Në pikëpamje të sipërfaqes opozita ngjan e dobët dhe e brishtë për shkak të propagandës së qeverisë dhe kontrollit të qeverisë mbi mediat. Në vlerësimin objektiv të gjithë treguesit flasin për një rritje të opozitës, veçanërisht në vitin e fundit” tha ai.
Por çfarë i duhet Lulzim Bashës për të fituar zgjedhjet? “Duhet të ndërtojë një ligjërim alternativ që do të bëjë dallimin në raport me qeverinë. Opozita duhet të tejkalojë pengesat që krijon kjo propagandë. Opozita ka kohë, nëse ka vullnetin, shenjat janë pozitive. Psh, caktimet e fundit për të udhëhequr disa qarqe, nga Bushati, te Alizoti dhe Mark Marku. Por duhet ta kombinojë me një ligjërim kreativ për të bërë diferencën.
Taksa e sheshtë nuk është instrument magjik. PD-ja që të maksimalizojë votat duhet të rikthehet te disa themele, të së djathtës, duhet të fokusohet te vlerat sociale, te liria ekonomike, te shpagimi i së shkuarës, që nuk i shohim të artikuluara.
PD nuk duhet të distancohet nga ata që kanë mbajtur ligjërimin opozitar këto vite dhe në garën elektorale nxirren figura të tjera. Për shembull, Fitim Zekthi, Mërtiti, Kola, që besoj që do të jepnin një dinamikë tjetër zhvillimeve brenda PD-së”.
PD-ja e vetme nuk mund të fitojë zgjedhjet, sipas tij. “Në kushte ideale do të duhet t’i fitonte, ka pasur potencialin për të qenë partie e parë. Sot nuk besoj se PD frymëzon aq sa do të duhej për t’i fituar e vetme zgjedhjet” përfundoi ai./ db/Abcnews.al