I ftuar në “Mbrëmja në ABC” me gazetaren Mirela Milorin, analisti Ylli Rakipi ka folur rreth ngërçit të krijuar me Gjykatën Kushtetuese dhe përplasjet mes palëve politike.
Sipas tij ky rol i ndërkombëtarëve është një rol i ndërtuar nga vetë politika shqiptare. Ndërkombëtarët nuk kanë kërkuar llogari për asnjë gjë, të gjitha ngërçet e krijuar në vend nuk kanë marrë asnjë zgjidhje. Sipas tij ndërkombëtarët kanë ardhur dhe janë larguar duke mos sjellë asnjë ndryshim, vendi ka vazhduar të jetë me zgjedhje të blera, me një sistem drejtësie të korruptuar, u shpreh Rakipi.
“Kryeministri Rama ia doli të qëndrojë në krye të piramidës sepse në këto 30 vjet nuk kemi ndërtuar sistemin, politika u përpoq të ndërtonte një sistem jashtë sistemit dhe tani plas fluska që sipas tij është reforma në drejtësi. Mazhoranca i ka të gjitha, nuk pranon që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen sipas Kushtetueses”, tha Rakipi.
Sa i përket përfaqësimit nga opozita aktuale në parlament ai thekson se nuk mund të pranohet nga ndërkombëtarët ai parlament.
“Kjo klasë politike është fajtore për të gjithë krizën politike, nëse ne pranojmë se do të aplikojmë në Shqipëri standarde si të BE-së me këtë klasë politike, atëherë nuk do të shkojmë askund. Nuk do të presin më shqiptarët, kanë ikur vlerat, nuk mund të themi që kemi standarde dhe kështu do të pranohemi në BE”, tha ndër të tjera Rakipi.
Sipas tij, për sa i përket kanabizimit të vendit, perëndimorët e “ndihmuan” në mënyrën më të keqe të mundshme Shqipërinë, duke heshtur, tha Rakipi. /abcnews.al