Rakipi: Basha detyrohet një shpjegim, një zyrtar i lartë amerikan e detyroi të tërhiqej

schedule21:10 - 23 Janar, 2020

schedule 21:10 - 23 Janar, 2020

I ftuar mbrëmjen e sotme përballë gazetares Mirela Milori ishte gazetari Ylli Rakipi. Rakipi ndau opinionet e tij në lidhje me politikën e ndjekur nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Sipas Rakipit, Lulzim Basha i detyrohet elektoratit të tij një shpjegim, se përse ndaloi aksionin e ndërmarrë në shkurt të vitit të kaluar.

Po ashtu Rakipi tha se, Basha duhet të jetë i sinqertë, të pranojë, dhe të deklarojë, që një zyrtarë i lartë amerikan, siç ishte Matthew Palmer, e detyroi të tërhiqej nga ky proces.

 

Pjesë nga biseda në studio:

Ylli Rakipi: Të gjitha pushtetet i ka në duar Edi Rama dhe kjo mazhorancë, me përjashtim të Presidentit të Republikës që e kanë kthyer në një noter të rëndomtë.

Mirela Milori: Megjithatë duket sikur janë qetësuar ujërat, kanë bërë një tryezë për reformën, do të hartojnë një draft, të cilin do ia përcjellin tryezës, dhe pas tryezës do të shkojnë në parlament, ky i fundit është zotuar që çfarëdo lloj drafti që të vijë, ne do e votojmë. Si iu duket kjo marrëveshje, çfarë mendoni?

Ylli Rakipi: Duket sikur jemi në një film serial, në një “deja vu”, ku është shtuar 1 element tjetër. Ne duhet të ndalemi dhe të analizojmë faktin kur opozita shqiptare 1 vit më parë iu largua institucioneve, dhe ekstremizoi aksionin e vet politik, deri tek mosmarrja pjesë e zgjedhjeve vendore.

I gjithë ky aksion u zhvillua me idenë që ky pushtet, ishte kthyer në një regjim që vidhte votat,  ngriti në këmbë një pjesë të mirë të shqiptarëve, i vuri përballë regjimit, dhe në verë, kryetari i opozitës e “kyçi” procesin që kishte ndërmarrë, dhe u rikthye përsëri në shtator.

U kthye në shtator, vazhdon të vërtitet pa thënë dhe pa bërë asgjë, pa u shpjeguar shqiptarëve se pse ajo që u nis nga Lulzim Basha, pra procesi, mbeti në mes.

Nuk shpjegoi se pse u largua nga parlamenti, dhe pse nuk hyri në zgjedhje. Duke e lënë procesin gjysmë, është njëlloj si të nxjerrësh shigjetën nga harku, ta lëshosh, dhe në mes të rrugës, shigjeta të të kthehet pas e të vetëasgjesohesh.

Pra opozita shqiptare kreu një akt kamikaz sepse procesin që nisi, e la në mes. Sot ajo pjesë e shqiptarëve, që mbështesin opozitën, nuk kanë asnjë shpjegim, janë të paqartë.

Lulzim Basha duhet tu japë një shpjegim, se pse u largua nga parlamenti, pse nuk hyri në zgjedhje, dhe pse u tërhoq, kush e detyroi të “zbythej” e të tërhiqej mbrapsht nga procesi i ndërmarrë. Zhgënjimi është i madh, dhe si rezultat kemi largim edhe më shumë të shqiptarëve.

Mirela Milori: Basha u largua nga parlamenti, ai atëherë deklaroi se; a) nuk mund të jemi pjesë e një parlamenti ku nuk dëgjohemi, etj. b) Nuk futem dhe nuk marr pjesë në zgjedhje se ky njeri e vjedh me Gjiknurin procesin, më tej deklaroi se; c) nuk i organizonte ai protestat dhe është një popull i tërë që do të rrëzojë Ramën. Si mendoni, mos ndoshta nuk ja del dot me forcë, dhe i duhet të ulet me patjetër me Ramën? Si i lexoni ju tentaviat e tij?

Ylli Rakipi: Nëse Basha tha se Rama kishte instaluar një regjim atëherë detyra e opozitës ishte ta rrëzonte. Që të vendosësh regjimin do të thotë të asgjësosh opozitën.

Shikoni se çfarë po bën Rama, po bën ligje për median (paketa anti-shpifje), ndan të mira materiale, besoj juve e patë përplasjen e fundit të Erion Velisë.

Si mendoni ju a e ka asgjësuar Rama opozitën? Basha duhet të jetë i sinqertë, e i ndershëm, dhe të deklarojë që një zyrtarë i lartë amerikan siç ishte Matthew Palmer, e detyroi të tërhiqej nga ky proces.

Unë e kam thënë edhe më parë, që opozita i shkon deri në fund qëndresës, bën edhe sakrifica. Nëse themi që Edi Rama nuk e ka blerë këtë opozitë atëherë e ka asgjësuar, si mund të ulesh në një tryezë, me një njeri që u kap në përgjime në dosjen 184.

Opozita që bën Lulzim Basha shkon në favor të Edi Ramës. Shqipëria ka nevojë për opozitë të fuqishme përballë një regjimi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!