Në brendësi të tokës së bregdetit të Jonit, larg syrit të zakonshëm të vizitorëve dhe pak i përmendur në literaturën bashkëkohore, ndodhet një qytet antik me vlera të jashtëzakonshme historike dhe arkeologjike. Bëhet fjalë për qytetin antik të vendosur në zonën e Malçanit, në bashkinë Finiq, i njohur deri më sot thjesht si “qyteti antik i Malçanit”.
Sipas arkeologut Halil Shabani, prej vitesh ekzistojnë mendime dhe hipoteza nga arkeologë dhe historianë që ky vendbanim i lashtë mund të identifikohet me qytetin antik Helikranon, i përmendur në burimet e lashtësisë.
Në literaturën antike, Helikranoni përmendet si një qytet i vendosur në tokat e brendshme, por me lidhje të drejtpërdrejta me ngjarje madhore të kohës. Një nga këto është ardhja në ndihmë e ushtrisë së Etolëve, në periudhën kur qyteti u sulmua nga mbretëresha e Taulantëve, Teuta, me komandant ushtrie Skerdilajdin. Pikërisht këto të dhëna e bëjnë Malçanin një pikë kyçe për studimin e historisë së Epirit.
Nga banorët e zonës, ky vend njihet më tepër si një kala, por sipas specialistëve, e vërteta është se kemi të bëjmë me një qytet antik të mirëfilltë, i ndërtuar pa akropol, i ngjashëm në tipologji me qytetin antik të Çukës së Ajtoit në Konispol.
Nga zbulimet arkeologjike është përcaktuar se qyteti ka lulëzuar kryesisht në shekullin e tretë para Krishtit.
Struktura urbane e qytetit tregon një organizim të avancuar për kohën, me banesa të ndërtuara në dy sisteme taracimi, çka dëshmon për shfrytëzim të zgjuar të terrenit malor.
Për banorët e Malçanit, ky vend mbetet i njohur si “kalaja në malin e Shën Ilisë”, “kalaja e mbretit” apo edhe “kalaja e mbretit Pirro të Epirit”, duke e lidhur në mënyrë simbolike me figurën e njohur historike. Sipas gojëdhënave, banorët e qytetit furnizoheshin me ujë nga një burim që ndodhej 3–4 kilometra larg, nëpërmjet një tubacioni prej qeramike një tjetër dëshmi e nivelit të lartë teknik për kohën.
Qyteti mbrohej nga një mur i fuqishëm rrethues, i ndërtuar për t’u përballur me sulme të mundshme nga armiqtë dhe pushtuesit. Në kujtesën popullore ka mbërritur edhe historia e rënies së qytetit: thuhet se ushtria pushtuese, pasi e kishte rrethuar për një kohë të gjatë, përdori një kalë të etur për ujë për të zbuluar vendin ku kalonte tubacioni i furnizimit. Me ndërprerjen e ujit, qyteti u detyrua të dorëzohej. Koha e saktë e kësaj ngjarjeje mbetet ende e panjohur.
Qyteti antik i Malçanit mbetet sot një pasuri e madhe historike dhe kulturore, ende e pazbuluar plotësisht, që pret vëmendje më të madhe shkencore dhe institucionale, për t’i dhënë vendin që meriton në hartën e trashëgimisë së lashtë të jugut të Shqipërisë./abcnews.al


