U arrestuan tre ditë më parë nga autoritetet serbe në Merdarë, një prej 4 të liruarve ka deklaruar se nga policia serbe u është thënë se ndalimi i tyre ka ndodhur për shkak të çështjeve politike që lidhen me situatën në veri të vendit.
Dervish Maliqi ka thënë para gazetarëve se nga kufiri ishin marrë nga dy civilë dhe pastaj janë dërguar në Kurshumli.
“Ata çka munden me bë është 48 orë mbajtje si i dyshuar, më shumë nuk patën fakte. Sipas policisë(serbe), nuk ka pas të bëjë me baraka, kjo është vetëm politikë, për shkak të tensioneve në veri”, ka thënë ai.
Aktualisht Serbia po i mban edhe tre policë të Kosovës të cilët i ka rrëmbyer të mërkurën.
PK ka deklaruar se tre zyrtarët kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës derisa kanë qenë në detyrë, thellë brenda territorit të Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.
/KosovaPress