Qytetarët të relaksuar, kryejnë me pak vaksinime, Nelaj: Vera shton ekspozimin e varianteve te reja

schedule16:32 - 6 Korrik, 2021

schedule 16:32 - 6 Korrik, 2021

Nga Ajgena Korbi

Situata e përmirësuar e koronavirusit ka qetësuar qytetarët të cilët po shtyjnë në kohë marrjen e vaksinës anti-Covid.

Nëse në nisje të fushatës kryheshin rreth 20 mijë vaksinime në ditë, tashmë numri ka shkuar në rreth 5 mijë.

“Mund të jenë disa faktorë që kanë ulur pak ritmin e lartë të vaksinimit. Mund të jenë edhe kushtet e nxehta të motit që i bën qytetarët të mos dalin nga shtëpia, por ndoshta mund të jenë relaksuar pak duke parë që nuk ka shumë raste në Shqipëri”, thotë përgjegjësja e vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik, Erida Nelaj.

Por vera rrit komunikimin dhe me persona përtej kufijve dhe shton ekspozimin ndaj varianteve të reja të Covid 19.

Prandaj përgjegjësja e vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik Erida Nelaj apelon për të marrë dozat e antitrupave  për të qenë më të mbrojtur ndaj “Delta”, por dhe më të sigurt gjatë vjeshtës.

“Ka raste të shtuara më Greqi, Itali, në vendet e rajonit në Spanjë dhe fakti që vera është koha kur ne bëjmë shkëmbime, pasi shkojmë apo vijnë njerëzit tanë mund të bëjë që të kemi rritje të rasteve të vaksinimit.

Pra është shumë e rëndësishme që të vaksinohemi. Të vaksinohemi tani në mënyrë që të kemi kohë ta marrin dozën e dytë dhe të jemi në njëfarë mënyrë të sigurt për situatën që mund të kemi në shtator”, thotë më tej ajo.

Për kombinimin e dozave nga dy lloje vaksinash siç po aplikojnë disa shtete në Europë ekspertët në Shqipëri do të vendosin  në një moment të dytë.

“Ende tek ne nuk ka një vendim të tillë. Komiteti Teknik i Ekspertëve merr vazhdimisht informacione në lidhje me këtë dhe do të gjykohet më vonë, por kryesisht gjykimi mund të jetë në bazë të lloji të vaksinës, apo mënyrës se si mund të ketë reaguar një person apo për të evituar ndonjë efekt dhe jo në lidhje me udhëtimin”, sqaron më tej ajo

Deri tani në vendin tonë kanë mbërritur rreth 1 milion e 120 mijë vaksina. Rreth 25% e popullsisë ka marrë injeksionin e parë, ndërsa më shumë se 412 mijë persona i kanë marrë të dyja dozat anti-Covid./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!