Qytetarët e një lokaliteti në Shtetet e Bashkuara kanë marrë në dorë fatin e tyre kur drejtësia ka dështuar. Për herë të parë në 80 vjet, banorët e kontesë Santa Klara, përmes një peticioni, shkarkuan nga detyra një gjyqtar që kishte dhënë dënim të lehtë për një përdhunues.
Qytetarët e Kalifornisë kanë shkarkuar përmes votës një gjyqtar që dënoi vetëm me 6 muaj burg një 20-vjeçar të akuzuar për përdhunimin e një gruaje pa ndjenja. Gjyqtari i kontesë Santa Klara, Aron Perski është bërë kështu i pari funksionar i drejtësisë që shkarkohet nga qytetarët në 80 vjet ekzistencë të shtetit të Kalifornisë.
Sipas mediave amerikane, qytetarët kanë votuar përmes një peticioni dhe nga numërimi ka rezultuar se 60 për qind e tyre kanë qenë pro shkarkimit dhe 40 kundër. Fushata kundër gjykatësit ishte organizuar nga pedagogia e Juridikut në Universitetin e Stenfordit, Mishel Dauber, që të mërkurën përshëndeti rezultatin e votimit përmes një fotoje të publikuar në Twitter, ku shfaqej përpara një ekrani që transmetonte të dhënat e procesit.
Qershorin e vitit 2016, gjyqtari Aron Preski u ndodh nën një breshëri kritikash pasi dënoi vetëm me 6 muaj burg dhe 3 vjet shërbim prove 20-vjeçarin Brok Tërner, për tre akuza të karakterit seksual që rëndonin ndaj tij.
Reagimi kundër vendimit, që tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës, erdhi pasi viktima e dhunimit tregoi ato që kishte përjetuar përmes një përpunimi grafik, që u postua online dhe u kthye shumë shpejt në një video virale. Rasti i saj u kthye gjithashtu në simbolin e dështimit të sistemit amerikan të drejtësisë në trajtimin dhe gjykimin e krimeve seksuale./abcnews.al