Qytetarët radhë tek OSHEE dhe UKT, stafi i reduktuar në sportele krijon pakënaqësi

schedule14:59 - 26 Mars, 2020

schedule 14:59 - 26 Mars, 2020

Qytetarët janë grumbulluar pranë  sporteleve të OSHEE dhe UKT-së në kryeqytet për të paguar faturat.

Pas deklaratës së kryeministrit se kush nuk paguan do t’i pritet energjia qytetarët janë paraqitur pranë sporteleve në masë. Madje shumë prej tyre kanë pritur disa orë në radhë. Shkurtimi i  punonjësve në sportele e ka ngadalësuar edhe më shumë procesin.

Një nga qytetaret shprehet:

“Jam numri 170 ndërsa tani është 122. Dy sportele janë vetëm, kështu që shihni e bëni.”

Disa të tjerë shtojnë më tej:

“Po, pagova edhe tashi po iki. Prta nja gjysmë orë, kaq.”

Edhe në sportelet e ujësjellësit është e njëjta situatë .Qytetarët detyrohen të presin në radhë ndërsa bëjnë apel të shtohen sportelet dhe orari i punës të mos nisë në orën 8.

” Kam qysh nga ora 9… Unë habitem se edhe bërtasin atje për lekë edhe nuk e shtojnë personelin”, thotë një qytetar.

Një tjetër shton më tej:

“Pse duhet të hapet në orën 8? Duhet të hapet një çike me herët. Po bëj dy orë e ca, nuk e di do arri dot a s’do arrij. Duhet të punojnë punonjësit në orë më të gjata në mënyrë që të mos ketë dyndje.

Pavarësisht sygjerimit për të paguar online qytetarët shprehen se preferojnë sportelet pasi pagesa me bankë reflektohet me vonesë në sistem. Një tjetër arsye është edhe fakti se pjesa më e madhe e qytetarëve nuk kanë kartë krediti për të kryer këtë shërbim.

“Gjithmonë në sportele paguar, më duket më e saktë.”

Në mbledhjen e fundit të qeverisë kreu i qeverisë deklaroi se nuk do të ketë asnjë tolerim në pagesën e taksave apo të faturave të energjisë elektrike. /abcnews.al/