Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit për foshnja “APTAMIL 1 PRONUTRA”, pas konstatimit të pranisë së një bakteri të rrezikshëm i njohur si Bacillus cereus, në një formulë për infant.
Njoftimi zyrtar:
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar opinionin publik lidhur me një sinjalizim të ardhur nga Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), me numër reference 2026.0663.
Sipas njoftimit, gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani është konstatuar prania e cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus, në një formulë për infant.
Produkt i prekur është:
- Emri i produktit: APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED
- Numri i artikullit: 172911
- Data e skadencës: 10/11/2026
AKU bën me dije se trupat inspektuese në terren janë angazhuar menjëherë për verifikimin dhe tërheqjen e produktit nga tregu, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
Autoriteti u bën thirrje konsumatorëve që nëse e kanë blerë dhe e disponojnë këtë produkt, të mos e përdorin dhe ta kthejnë atë në pikat e shitjes ku është blerë.


