Superiorja u shty për shkak të situatës që është përfshirë në Shqipëri prej valës së tërmeteve që kanë rënë dhe po bien. Pasoja kanë qenë të rënda, pasi ka të vdekur, të plagosur dhe banorë në zona të ndryshme të vendit (kryesisht në rrethet Durrës, Krujë e Kurbin) që kanë mbetur të pastrehë për shkak të shembjes së shtëpive apo dëmtimeve të rënda që kanë marrë banesat e tyre.
Bota e futbollit është solidarizuar dhe është vënë në lëvizje duke ofruar ndihma. Disa prej klubeve kanë dërguar veshje dhe ushqime për të prekurit nga tërmetet, futbollistët e kombëtares kanë dhuruar para, ndërkohë që FSHF, FFK dhe FFM do të ndërtojë tre shtëpi. Një nga klubet që dëshiron të ndihmojë është edhe Partizani.
Sipas asaj që raporton e përditshmja sportive, “Panorama Sport”, klubi i kuq ka nisur bisedimet me Federatën Shqiptare për ta luajtur derbin në “Air Albania Stadium” dhe të ardhurat nga biletat të shkojnë për të prekurit nga tërmeti. Klubi i kuq ka kërkuar nga FSHF që të ketë një tolerim dhe të mos paguajë qiranë e stadiumit, në mënyrë që e gjithë shifra e grumbulluar nga shitja e biletave të shkojë për njerëzit në nevojë.
Ka pasur një stepje fillimisht nga FSHF, por besohet se do të zgjidhet edhe kjo pjesë dhe me shumë mundësi ky derbi do të jetë ai i solidarizimit për të prekurit nga tërmeti. Një arsye më shumë që tifozët ta mbushin stadiumin në derbin e kryeqytetit, agjenda e të cilit ende nuk është përcaktuar. /abcnews.al