Për pacientët e vegjël të diagnostikuar me sëmundje të ndryshme tumorale në vend, tashmë ndjekja e diagnozave dhe ekzaminimet klinike do të kryhen pa dhimbje. Në shërbimin e onkopediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është vënë në funksion një sallë e re anestezie, e cila do të shërbej për ekzaminime dhe marrjen e mostrave klinike apo trajtimeve të tjera tek të vegjlit pa ndjerë dhimbje. Ndërsa më herët ky shërbim kryhej me anestezi lokale, pra duke vepruar vetëm në zona të caktuara të trupit, me pacientin zgjuar.
“Kjo është një risi për shërbimin tonë që prej vitesh i ka bërë këto funksione të domosdoshme, jo vetëm në vënien e diagnozave të ndryshme, por, edhe gjatë rrugës së trajtimit për të monitoruar efektin e medikamenteve, efektet e vetë sëmundjes mbi sistemin nervor dhe palcës, por, edhe për ti ndjekur më tutje ecurinë e patologjisë bazë. Pra një funksion që nuk bëhet njëherë apo dyherë, ku fëmijët e mbanin mënd procedurën e dhimbjes, nuk afroheshin. Nuk e vuante vetëm fëmija, por, edhe prindërit”.
Për mjeken Donjeta Bali, drejtuese e shërbimit të onkohematologjisë në Pediatri vënia në funksion e kësaj salle me aparatura moderne përveçse lehtëson dhimbjen te mosha pediatrike, kursen kohë në diagnostikim dhe trajtim të sëmundjes. Ky shërbim iu vjen në ndihmë të gjithë fëmijëve në vend, të cilët po përballen me sëmundje tumorale.
“Risi për shërbimin që krijon lehtësi për fëmijët edhe për ne. Më përpara kishim sallën kirurgjikale, por nuk është e dedikuar për ne, jo të disponueshme në çdo kohë. Tashmë e kemi në repartin tonë, ku nuk vonon kohë dhe për çdo diagnozë. Ju shërben shumë fëmijëve, llogaritemi diku te 70-80 rasteve të reja në vit. Të llogarisësh që bëhet në mes të diagnozës dhe monitorim të sëmundjes. E vetmja qendër kombëtare që trajton sëmundjet pediatrike onkologjike dhe hematologjike pediatrike”.
Investimi për këtë sallë u bë i mundur falë një bashkëpunimi mes QSUT, Fondacionit Heydar Aliyev dhe Ambasades se Azerbajxhanit të cilët edhe më herët kamë furnizuar me pajisje dhe mjete të nevojshme këtë shërbim.


