Shoqata e të verbërve në Shqipëri i është drejtuar me një letër kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi në lidhjen me gjuhën denigruese të përdorur nga kryeministri Edi Rama gjatë fushatës, duke përdorur etiketimet “qorr” dhe “shurdh” për kundërshtarët e tij politikë.
“I nderuar zoti Celibashi në emër të shoqatës së të verbërve të Shqipërisë e cila përfaqëson mbi 13500 familje të qytetarëve të verbër, të ju drejtohem nëpërmjet kësaj letër ankese. Qysh prej datës 25 Mars të gjitha partitë politike kanë filluar zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 25 Prillit.
Me keqardhje kemi vënë re se në retorikën politike të përdorur nga kryeministri Edi Rama vazhdimisht është përdorur një terminologji e papërshtatshme, denigruese dhe fyese ndaj komunitetit të personave me aftësi të kufizuara, konkretisht për qytetarët e verbër dhe ata që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin”
Më konkretisht letra i referohet një deklarate të bërë një ditë më parë në daljen e kreut të qeverisë në takim me strukturat në Shirokë. Në lidhje më këtë rast shoqata bën thirrje të ndërmerren masat dhe sanksionet përkatëse.
Çfarë tha Rama një ditë më parë
“Këto nuk i interesojnë qorrave që i kanë dy sytë në ballë dhe veshët në vend por e kanë mendjen në tapë. I pengon verbëria e qorrave dhe shurdhëve të marrosur ndaj tifozllëkut. Po shkojmë qorrazi dhe i japim votën kufijve të vendosur nga një bashki qorre duke shkuar qorrazi drejt të ardhmes”, u shpreh kryeministri.
/mv.abcnews.al