Qindra vetë në meshën për gazetaren e vrarë

schedule08:42 - 13 Tetor, 2018

schedule 08:42 - 13 Tetor, 2018

Qindra qytetarë bullgarë kanë marrë pjesë në meshën e mbajtur të premten në nder të gazetares Viktoria Marinova që u vra javën e kaluar. Ndërkohë, prokurorët e çështjes kanë deklaruar se nga hetimet nuk rezulton që 30-vjeçarja të jetë vrarë për shkak të detyrës, por debatet mbi lirinë e shtypit janë ndezur.

Disa qindra qytetarë bullgarë qëndruan në radhë përpara kishës së qytetit Ruse, për të bërë homazhet e fundit në nder të Viktoria Marinova, gazetaria televizive që u dhunua dhe u vra javën e kaluar.

Trupi i 30-vjeçares, që trajtonte çështje të aktualitetit në një emision televiziv, u gjet i pajetë ditën e shtunë pranë një parku ku ajo zakonisht bënte ecje sportive. Mbi 500 vetë me qirinj në duar ndoqën meshën në nder të Marinovës, në katedralen Triadha e Shenjtë.

Njerëz që e njihnin e kanë cilësuar 30-vjeçaren si të vendosur, të përgjegjshme dhe të sjellshme dhe kanë kujtuar punën e saj të bamirësisë dhe angazhimin në çështjet sociale në mbështetje të fëmijëve.

Një shtetas bullgar, 20 vjeç, u arrestua pak ditë më parë në Gjermani në lidhje me vrasjen e saj dhe pritet të ekstradohet në Bullgari së shpejti. Ndërkohë, prokurorët e çështjes kanë deklaruar se për momentin nuk kanë prova që të sugjerojnë se vdekja kishte lidhje me punën e saj.

Në edicionin e fundit të emisionit, Marinova foli për punën e gazetarëve investigativë dhe njoftoi synimin e saj për t’u angazhuar në aktivitete të ngjashme. Ajo është gazetarja e tretë që vritet që nga fillimi i vitit në vendet e Bashkimit Europian, krim që ka shkaktuar debate për lirinë e shtypit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!