Anija me 629 emigrantë në bord vijon të qëndrojë në ujrat e Mesdheut pasi Qeveria Italiane dhe ajo e Maltës nuk lejojnë ankorimin e saj në brigjet e këtyre vendeve. Ndërkohë, kryebashkiaku i Napolit është shprehur i gatshëm të presë emigrantët.
Anija me 629 emigrantë në bord të shpëtuar të shtunën dhe të dielën qëndron ende në ujërat e Mesdheut, në afërsi të brigjeve të Maltës dhe Italisë. Fati i saj pritet të vendoset pasi qeveria e Romës dhe Valetës të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre.
Tragjike paraqitet situata për emigrantët që kanë më shumë se 24 orë që qëndrojnë në detë. Përplasja diplomatike e paprecedentë midis Italisë dhe Maltës për emigrantët filloi pasi ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, vendosi të mbyllë portet italiane ndaj anijes “Aquarius”. Në një letër të përbashkët Salvini dhe ministri I infrastrukturës Danilo
Toninelli i kanë kërkuar Maltës “që të përgjigjet zyrtarisht ndaj kërkesës për hapjen e porteve të saj për shpëtimin e qindra emigrantëve që gjenden në anije”.
E menjëhershme ishte kundërpërgjigja e qeverisë malteze, që mban linjën e ashpër.
“Jemi të shqetësuar për drejtimin e marrë nga autoritetet italiane lidhur me ‘Aquarius’ që gjendet në det të hapur. Këto veprime shkojnë kundër ligjeve ndërkombëtare dhe rrezikojnë të krijojnë një situatë të rrezikshme për të gjithë ata që janë përfshirë”, është replika e kryeministrit Joseph Muscat.
Ndërsa më herët autoritetet e Valetës njoftuan se ishulli nuk ka kompetencë për këtë rast duke marrë parasysh që operacionet e shpëtimit kanë ndodhur në zonën e shpëtimit të Libisë dhe janë koordinuar nga qëndra e Romës.
Më pas, Salvini ka bërë apel që të ndalohet emigracioni klandestin. Situata është bërë më e rëndë mes dy vendeve pas telefonatës të kryeministrit Giuseppe Conte me homologun e tij Muscat.
Shefi i qeverisë italiane ka njoftuar se ka dërguar dy anije me mjekë në bordin e “Aquarius” dhe akuzoi Muscat se nuk pranoi të sigurojë ndonjë ndërhyrje humanitare për rastin në fjalë. Në këtë situatë, Conte kërkoi përfshirjen e Bashkimit Europian.
Megjithatë, për këtë rast ka përçarje dhe brenda Italisë.
“Nëse një ministër i pashpirt lejon të vdesin në det femra shtatëzëna, fëmijë, të moshuar, qënie njerzore, porti i Napolit është i gatshëm t’i presë. Ne jemi njerëz me zemër të madhe. Napoli është gati dhe pa para që të shpëtojë jetë njerëzish”.
Kështu shkruan në një mesazh në Twitter, kryebashkiaku i Napolit, Luigi de Magistris, duke iu referuar mungesës së autorizimit nga qeveria për ankorimin e anijes me 629 emigrantë në bord. Ndërkohë, për këtë çështje ka reaguar dhe OKB, që bën thirrje të gjendet një zgjidhje sa më parë në mënyrë që të shmanget tragjedia./abcnews.al