Nga Erblina Mile
Borxhet e qeverisë kanë njohur një rritje të konsiderueshme gjatë vitit 2020 .Të dhënat e ministrisë së financave tregojnë se përgjatë gjithë vitit janë krijuar në total 23.8 mld lekë ose 194,2 mln euro detyrime të prapambetura.
Pavarësisht se ka qenë një ndër kërkesat e përsëritura të Fondit Monetar Ndërkombëtar që qeveria të mos krijojë detyrime të prapambetura e sidomos ndaj biznesit nga treguesit konstatohet se peshën kryesore e mban pikërisht borxhi në zërin e rimbursimit të TVSH-së për sipërmarrjet në vend.
Gjatë vitit që lamë pas janë 9.7 mld lekë të pa shpërndara për bizneset ose 78.7 mln euro.
Më pas renditen vonesat e pagesave për realizimin e projekteve të ndryshme të investimeve dhe vijon që pagesat për largimet e padrejta të punonjësve në administratë të jenë një barrë e rëndë për buxhetin e shtetit.
Në total rezulton se shuma e parave që qeveria duhet tu paguajë qytetarëve që ka larguar nga puna pa motivacion arrin në 3.5 mld lekë ose 28.3 mln euro duke pësuar një rritje me rreth 93 mln lekë nëse e krahasojmë me fundin e 2019.
Të rrënuara paraqiten edhe financat e bashkive përgjatë viti që lamë pas, ku në total borxhi arrin në 7 mld lekë ose 56,5 mln euro.
Edhe në njësitë vendore bie sy se akumulimi i borxheve ka ardhur si pasojë e mospagesës së investimeve të ndryshme që janë realizuar e sidomos nga largimet e padrejta nga puna.
Ndërkohë nëse bëjmë një ndarje të borxheve Ministria e Ekonomisë dhe Financave rezulton me nivelin më të lartë të detyrimeve e ndjekur nga Ministria e Infrastrukturës dhe më pas vjen Ministria e Mbrojtjes.
Detyrimet e prapambetura të qeverisë 2020
Totali 23.8 mld lekë
Rimbursim i TVSH 9.7 mld lekë
Vendime gjyqësore 3.5 mld lekë
Investime 1.2 mld lekë
Detyrimet e vendorëve në 2020
Totali 7 mld lekë
Investime 3.7 mld lekë
Vendime gjyqësore 814 mln lekë
/abcnews.al/