Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme llojet e reja të armatimeve që do të përdorë Garda e Republikës në rastin e protestave për menaxhimin e turmave. Në vendim mes mjeteve dhe pajisjeve kufizuese bëhet fjalë edhe për lëndë neuroparalizuese, ose ndryshe lëndë kimike për kontrollin e turmave.
Më shumë detaje mbi llojet e lëndëve neuroparalizuese dhe armatimeve të tjera pritet që të bëhen publike në momentin e zbardhjes së plotë të vendimit të firmosur sot nga Këshilli i Ministrave.
VENDIMI I PLOTE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 62, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e llojeve të armatimit, të lëndëve neuroparalizuese (lëndë kimike për kontrollin e turmave), të mjeteve dhe të pajisjeve të tjera kufizuese, për përdorimin e forcës nga Garda e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit të lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Deri në rinovimin e plotë të armatimit, strukturat e Gardës së Republikës së Shqipërisë përdorin armatimin e pajisjet aktuale.
3. Vendimi nr.830, datë 1.12.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për pajisjen e punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë me armatim dhe mjete teknike të posaçme”, i ndryshuar, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/ Abcnews.al