Qeveria parashikon që ekonomia të arrijë nivelin e vitit 2019 këtë vit

schedule07:24 - 22 Janar, 2021

schedule 07:24 - 22 Janar, 2021

Humbjet që ka krijuar pandemia në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) gjatë vitit 2020 pritet të kompensohen brenda këtij viti, sipas parashikimeve më të fundit të qeverisë.

Ministria e Financave publikoi këto ditë projeksionet e reja të rritjes ekonomike të cilat programojnë që PBB-ja e këtij viti të arrijë në 1,683 miliardë lekë, rezultat pak më i lartë si i vitit 2019 ku PBB e vendit u përllogarit në nivelin 1,679 miliardë lekë.

Gjatë vitit 2020 rënia e ekonomike në vlerë parashikohet të jetë 107 miliardë lekë ose rreth 1 miliardë dollarë, të cilat pritet të rikuperohen gjatë vitit në vijim.

Përkundër qeverisë sektorët nga ekonomia reale presin që rikuperimi të ndodhë gradualisht, për te arritur nivelin e vitit 2029 përgjatë vitit 2022.

Sektori fason, parashikon dobësi edhe këtë vit për shkak të kufizimeve që po aplikohen nga Europë edhe në 6 mujorin e parë të vitit. Nga kjo situatë pritshmëritë për rikuperim janë shtyrë deri më 2022.

Edhe institucionet Financiare ndërkombëtare në projeksionet e janarit 2021 njoftojnë se, niveli i ekonomik i vitit 2019 do të arrihet në dy vitet në vijim.

Banka Botërore në parashikimit e fundit referoi se ekonomia me Shqipërisë pritet ta mbyllë vitin 2020 me rënie -6.7 %, ndërsa këtë vit rritja do të jetë 5.1 %. Një pjesë humbjeve, të 2020 mbeten për t’u kompensuar më 2021, sipas BB.

Para pandemisë parashikimet ishin, që ekonomia e Shqipërisë këtë vit, të ishte në nivelin që sot presim të jetë viti 2023.

Si në të gjithë botën pandemia Covid-19, përveç dëmeve të drejtpërdrejta në shëndetin e njerëzve i ka dhënë goditje të fortë ekonomisë dhe zhvillimeve sociale të tilla si sektori edukimit.

Borxhet si në sektorin publik dhe atë privat janë rritur në të gjithë botën, ndërsa kostot nga mungesa e dijeve prej mësimit në distancë pritet të japin efekte negative për dekada me radhë.

Borxhi publik i Shqipërisë arriti në tremujorin e tretë të vitit 2020 në 79.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke u rritur me 13.5 pikë përqindje në krahasim me fundin e 2019-s, si rrjedhojë e shpenzimeve për rindërtimin pas tërmetit, paketave mbështetëse për përballimin e pasojave të Covid-19 dhe situatës së përkeqësuar buxhetore, që solli rënie të ndjeshme të të ardhurave. Shqipëria u rendit e dhjeta në Europë për nivelin më të lartë të borxhit publik, në raport me madhësinë e ekonomisë, sipas të dhënave të Eurostat./Monitor