Qeveria nxori letrat e ndihmës, PD: Po shantazhon Manjola Cakonin, prokuroria të hetojë Ramën

schedule18:33 - 13 Shtator, 2020

schedule 18:33 - 13 Shtator, 2020

Partia Demokratike ka reaguar pas videos që kryeministri Edi Rama shpërndau mesditën e sotme me provat sipas tij, që familja e Manjola Cakonit nuk është harruar, por mbështetur nga institucionet pas tragjedisë së tërmetit të vitit të kaluar. Ish-deputetja Grida Duma i kërkon prokurorisë që të nisë hetimet ndaj kryeministrit për shantazh dhe frikësim ndaj Manjola Cakonit.

E vërteta e dhimbshme e familjes Cakoni e treguar nga Manjola, është fakti  i vetëm i një historie, që nuk mund të fshihet nga asnjë formë e propagandës. Edi Rama edhe sot ka vijuar të frikësojë dhe intimidojë Manjolën. Është koha që prokuroria të nisë hetimet ndaj kryeministrit për shantazh dhe frikësim ndaj një zonje, që ka kërkuar publikisht vetëm të drejtën e saj” shkruan Duma.

Pak ditë më parë Manjola Cakoni u shpreh në media se ishte harruar dhe braktisur nga shteti, pasi humbi burrin dhe vajzën nga tërmeti. Pas intervistës që dha në media, ish-deputetja e PD, Grida Duma publikoi një video të Manjola Cakonit e cila akuzonte se kishte marrë një telefonatë kërcënuese nga kryeministria konkretisht nga Edi Rama, pasi rrëfeu në televizor situatën e saj pas tërmetit.

Qeveria reagoi duke nxjerrë disa dokumente ku sipas saj, Manjola Cakoni dhe djali i saj Alesio janë ndihmuar, ndërsa pasditen e sotme Duma u përgjigj në një postim në Facebook duke i kërkuar prokurorisë të nisë hetimet ndaj kryeministrit. db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!