Qeveria Kurti paguan terroristë/ Në vitin 2022 dha 800 mijë euro për serbët e grupit “mbrojtja civile”

schedule19:10 - 13 Gusht, 2023

schedule 19:10 - 13 Gusht, 2023

Kosova ka shpenzuar afro 800 mijë euro për pjesëtarët e “mbrojtjes civile”, grup ky që u cilësuan disa muaj më parë nga qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti si terroristë.

Kjo shumë është shpenzuar gjatë vitit 2022, teksa kanë përfituar 129 serbë. Serbët e sistemuar në institucione të Kosovës bazuar në marrëveshjen e Brukselit, po vazhdojnë të paguhen edhe pse nuk shkojnë në punë.

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka thënë KosovaPress-it se këto pagesa janë kryer në bazë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.

“Për vitin 2022 vlera totale e këtyre pagesave ishte 792,955 euro. Të gjithë janë nga ‘Mbrojtja Civile’. Në dy ministri 52 punonjës ishin paguar vetëm për gjysmën e parë të vitit 2022.” Thuhet në deklaratë.

Mirëpo opozita e ka konsideruar këtë fakt si skandaloze. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj deklaroi se këtë të dhëna tregojnë fytyrën e vërtetë të qeverisë.

“Kjo është skandal në vetvete, paraqet fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie sepse punon me dy standarde. Në njërën anë deklaron që këta janë pjesëtarë ilegalë dhe ju takojnë organizatave terroriste dhe në anën tjetër i mbyll sytë, i paguan dhe nuk merr asnjë përgjegjësi ose për t’i larguar, ose për t’i ndëshkuar ata që nuk kanë vijueshmëri në punë ose për të qartësuar rolin e tyre dhe pozicionin e tyre në mënyrë të drejtpërdrejt nëse ka shkelje ligjore”, tha Zemaj.

Edhe Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kërkon sqarime nga qeveria, pasi sipas tij nuk ka logjikë juridike që e pranon financimin e pjesëtarëve terroristë.

“Qeveria e Kosovës duhet të dalë me sqarime rreth kësaj çështje, përkatësisht se si ende po paguhen pjesëtarë të disa organizatave të cilat Qeveria i konsideron si organizata terroriste. Mirëpo, mënyra nëse e shohim se si janë shpallur këto organizata si organizata terroriste nga ana e Qeverisë së Kosovës lë shumë për të dëshiruar. Kjo për shkak se në secilin rast kur shpallet një organizatë terroriste, çështjet duhet të jenë të bazuara në fakte dhe në prova, përkatësisht duhet të tregohet se si operon një organizatë e caktuar, në cilat territore, cila është struktura e saj, kush është në krye të strukturës së saj.”, theksoi ai.

Përveç  “Mbrojtjes Civile” Qeveria e Kosovës ka shpallur terroriste edhe organizatën “Brigada e Veriut”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!