Në Greqi po ndihet prezenca e variantit “Delta” pasi vendi fqinj regjistroi në 24 orët e fundit 1,797 raste të reja me koronavirus.
Shifrat kanë alarmuar qeverinë e vendit dhe në një konferencë për mediat të mbajtur pasditen e së martës, zv/ministri i Mbrojtjes Civile Nikos Hardalias paralajmëroi bizneset që i janë rikthyer aktivitetit se ndëshkimi do të jetë i ashpër për ata që thyejnë rregullat, raportojnë mediat në vend, përcjell Abcnews.al
Duke nisur nga 8 korriku në vend do të hapen baret dhe club-et nën rregulla të rrepta anti-covid. Hardalias u shpreh se varianti “Delta” i koronavirusit ka nisur që të prevalojë dhe ata që nuk janë të vaksinuar janë veçanërisht më të rrezikuar.
“Që nga e hëna e shkuar po regjistrojmë një rritje të rasteve të reja, që thuajse janë trefishuar. Rastet e reja janë identifikuar kryesisht tek të rinjtë dhe në aktivitete argëtimi si club-e apo barë.”
Sipas zv/ministrit të Mbrojtjes Civile, mosha mesatare e të infektuarve së fundmi është 27 vjeç.
Kështu, qeveria në shtetin helen, vendosi:
-Nga e enjtja, të gjithë restorantet, baret, klubet e natës, do të funksionojnë vetëm me persona të ulur dhe me rregullat e kapacitetit të përcaktuara.
-Për pronarët e subjekteve që shkelin masat, do të kenë një pezullim të përkohshëm të aktivitetit, nga shkelja e parë dhe nga e nesërmja.
– Me shkeljen e parë, gjoba është 5,000 euro dhe 7 ditë pezullim aktiviteti
-Në shkeljen e dytë, 15 ditë pezullim.
-Në shkeljen e tretë licenca e funksionimit do të hiqet. s.b/abcnews.al/