Autoriteti Rrugor Shqiptar ka garantuar financimin e përfundimit të punimeve të mbetura në nyjen e Milotit dhe plotësimin me rrugët dytësore. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me drejtorin e Përgjithshem të Rrugëve ishin në kantier ku thanë se nyja do të fillojë të bëhet funksionale për kalimin e mjeteve duke nisur nga muaji Gusht.
Qeveria ka lëvruar rreth 1.6 miliard lekë për të përfunduar punimet e mbetura në nyjen e Milotit dhe ndërtimin e rrugëve dytësore. Investimi i plotë parashikohet të përfundojë brenda 15 muajve. Ministi i Infrastrukturës dhe Energjisë bashkë me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar ishin në kantierin e punimeve. Ministri tregoi se është komunikuar me kompaninë kontraktore që nyja e cila lidh rrugën e Kombit me segmentin që shkon nga Tirana drejt Shkodrës të jetë e kalueshme për automjetet brenda muajit gusht.
“Edhe gjatë kësaj vere, gjithë pushuesit do ta ndjejnë diferencën e madhe që do të ketë lehtësimi i trafikut pikërisht në këtë nyje. Kjo është një nga ato veprat e tjera të rëndësishme që ne jemi duke hapur. Këtu do të jetë edhe lidhja me autostradën nga Miloti deri në Balldren. Pra, po të shikoni pjesa tjetër për nga veriu, një aks me të gjitha parametrat e nevojshme dhe që është pjesë e programit të rindërtimit të infrastrukturës në katër vitet e ardhshme në Shqipëri”.
Problemet në këtë nyje të trafikut në vend sipas ministrit të Infrastruktures dhe Energjisë kanë nisur që në vitin 2011. Ajo nuk mund të shfrytëzohej, deklaroi drejtori i përgjithshëm i rrugëve, nëse nuk bëhej ky projekt i ri i cili parashikon gjithashtu ndërtimin e 9 kilometrave rrugë dytësore. /abcnews.al