TIRANË- Pak ditë pas ndryshimeve në qeveri, kryeministri Edi Rama i dorëzoi të hënën presidentit Bajram Begaj, emrat e rinj të kabinetit.
Takimi kokë më koke mes kreut të qeverisë dhe kreut të shtetit u zhvillua për 40 minuta në Pallatin e Brigadave.
Kushtetuta i jep Begajt 7 ditë kohë për të dekretuar lirimet dhe emerimet e reja, duke I hapur rrugë kështu votimit në parlament.
Nuk përjashtohet mundësia që ndryshimet të dekretohen para së enjtes, kur është parashikuar seanca e rradhës plenare. Aty mjafton një shumicë e thjeshtë prej 71 votash, para se ministrat e rinj të betohen me dorën mbi kushtetutë në Presidencë.
Në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të enjtjen, Rama, njoftoi ndryshime rrënjësore në skuadrën e tij qeverisëse.
Pas largimit të paralajmëruar të Belinda Ballukut nga të dyja funksionet, Albana Kociu do të jetë zëvendëskryeministrja e re ndërsa Enea Karakaci do të mbajë postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.
Me një karrierë të gjatë në politikën e jashtme, Ferit Hoxha, është I besuari I Edi Ramës për të drejtuar Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, pas shkarkimit të Elisa Spiropalit.
Besfort Lamallari propozohet ministër I brendshëm ndërsa tek drejtësia kalon Toni Gogu. Ndërsa deputetja e Vlorës, Erjona Ismaili, do të jetë ministrja e re për marrëdheniet me parlamentin.
Në vendin e lënë bosh nga Pirro Vengu në Ministrinë e Mbrojtjes do të ulet Ermal Nufi, i cili ka mbajtur postin e zëvendësekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave./abcnews.al


