Në vështrim të parë duket se nuk ndryshon shumë: Ministri i Financave, Euklidis Tsakalotos përgjegjës për politikën e kursimeve mbetet në detyrë, po ashtu edhe kreu i diplomacisë greke, Nikos Kotzias dhe ministri i Mbrojtjes, Panos Kamenos. Por po të vështrosh më me vëmendje ristrukturimi i qeverisë greke vendos impulse të reja: Ministri i Brendshëm, Panos Skourletis një nga aktorët më të rëndësishëm të partisë së majtë qeverisëse dhe rival i mundshëm i Tsipras duhet të largohet nga qeveria dhe i kushtohet menjëherë punës së partisë. Pasuesi i tij është Aleksis Haritsis, përfaqësues i një gjenerate të re politikanësh të majtë.
Reagime ka shkaktuar edhe vendimi i kryeministrit për më shumë femra në kabinetin qeveritar, që ndërkohë kanë mbledhur përvojë qeverisëse, jo me të, por me partitë kundërshtare të Tsipras.
Gratë në qeveri
Figura më e njohur është Mariliza Ksenogianakopoulu, që dikur në qeverinë e Jorgos Papandreut shërbeu si ministre e Shëndetësisë e më pas zëvendësministre e Jashtme. Edhe një ish-ministre kulture e socialistëve mund të ulet në kabinetin qeveritar. Pjesë e qeverisë bëhet edhe Katerina Papakosta, ish-ministre e Shëndetësisë nën kryeministrin konservator, Antonis Samaras dhe aktualisht drejtuese e një partie të re me emrin e pazakontë “Hovi i ri grek”.
A ka këtë pamje një fillim i ri? “Nuk kemi pse t’i jepemi iluzionit, me materiale të vjetra zor se mund të bësh diçka të re”, shprehet Dimistris Tsiodras, gazetar dhe ish-zëdhënës i qeverisë, që sot angazhohet për një parti liberale, kritike ndaj Tsipras. Tsiodras është i mendimit, se qeveria e re e Athinës është një përzierje e paqartë e politikanëve të majtë të konsumuar dhe konservatorëve të vetëemëruar, si shtojcë u futën edhe ish-ministra të partisë PASOK. “Kjo nuk është një qeveri me të ardhme”, thekson Tsiodras.
Para betejës zgjedhore
Por ndoshta Tsipras mendon më shumë për të ardhmen. Sepse më së voni në vjeshtën e 2019-s, në Greqi zhvillohen zgjedhje dhe kryeministri i majtë, për shkak të vlerave të dobta në sondazhe ka nevojë për çdo votë. Hapja drejt qendrës së majtë bëhet kështu në momentin e duhur. “Është ky ekip që duhet të futet në betejën zgjedhore. Nuk besoj se do të kemi një ristrukturim tjetër të qeverisë”, thotë analisti, Pavlos Tsimas në televizionin Skai. Që Tsipras po ndërron korsi dhe po futet në atë zgjedhore të flet edhe posti i ri i ish-ministrit të brendshëm, Skourletis. Ai do të drejtojë Komitetin Qendror të Syrizas. Sipas Tsimas, “ai duhet të shkundë partinë e majtë dhe ta bëjë gati për fushatë zgjedhore.”
Dhurata parazgjedhore?
Mbetet vetëm të pritet, nëse Tsipras do të zbusë politikën e kursimeve në muajt e ardhshëm për të fituar pikë me dhurata sociale tek votuesit. Që tani kanë shkaktuar reagime deklaratat e politikanëve të Syrizas se ndoshta nuk do të bëhen shkurtimet e pensioneve të planifikuara me kreditorët për vitin 2019. Politologu Jorkos Tzogopolus mendon, se Tsipras do duhet të bëjë ndonjë lëshim, kjo edhe për faktin se Greqia ka arritur të ketë një suficit të ndjeshëm buxhetor së fundmi – pa llogaritur normat e interesit që duhen paguar për kreditorët. “Duke përdorur argumentin e suficitit buxhetor, politikanët e Syrizas duan t’i mënjanojnë shkurtimet në pensione, ose të paktën të krijojnë përshtypjen se po luftojnë për këtë”.
Sipas mediave greke, këto ditë Tsipras ka për të hapur mundësinë për lehtësime tatimore dhe rritjen e pagës minimale. Por nuk dihet nëse kredidhënësit do të jenë dakord me këtë. Më 10 shtator ata kanë mundësi të thonë mendimin e tyre, kur të shkojnë në Athinë për takimin e radhës./DW