Qeveria e re e Malit të Zi/ Gegaj: Kabineti i sapoformuar nuk do të ketë jetëgjatësi, mashtrim i hapur ndaj qytetarëve

schedule16:28 - 24 Korrik, 2024

schedule 16:28 - 24 Korrik, 2024

Partia proruse, Fronti Demokratik (DF) dhe Partia Boshnjake (BS) kanë hyrë në Qeverinë e Malit të Zi, pasi Parlamenti votoi më 23 korrik për riformatizmin e ekzekutivit. Partia proruse do të ketë dy poste të zëvendëspresidentit dhe do të udhëheqë dy ministri, ndërkaq partia boshnjake do të ketë një zëvendëspresident dhe pesë ministra. Ndërsa, ministrat shqiptarë kanë ruajtur pozitat e tyre si dhe ministrat nga radhët e komuniteteve të tjera.

Në një lidhje me Skype për “Ballkan Update”, funksionari i DPS-së Nikollë Gegaj, ka thënë se kabineti i sapoformuar nuk do të jetë jetëgjatësi.

Ai ka theksuar se qeveria e Malit të Zi është në duart e Moskës dhe ky është një mashtrim i hapur ndaj qytetarëve malazezë.

“Nuk do të kemi për herë të parë fatkeqësisht përfaqësues të kombit të Malit të Zi. Pra, partitë pro serbe që janë pjesë e qeverisë dhe mbrojnë heqjen e sanksioneve kundër Rusisë, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundërshtarë të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe mbështesin kriminelët më të mëdhenj të luftës në Bosnje. Pra, mund të themi që dje ishte evidente që ishim dëshmitar të një mashtrimi të qytetarëve të Malit të Zi. Mostransparenca, mungesa e parimeve dhe tregtia me interesa shtetërore, arrijnë kulmin me votimin e qeverisë më të madhe në histori, qëllimi është mbrojtja e interesave personale dhe jo rruga europiane e vendit.

 Përbërësit e qeverisë janë përfaqësuesit e partive nacionale, ku asnjë prej tyre nuk është kundër klerikalizimit të shoqërisë. Ky është një projekt i shkurtër dhe unë mendoj se së shpejti do të kemi zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Këtu nuk kemi fare orientim programor të subjekteve politike, por kemi luftën se kush mund të marrë më shumë në sofrën e shtruar në kryeministrisë.

Kemi një qeveri jonatyrore, nuk është e natyrshme të bashkëpunojnë subjektet politike dhe personat që kanë urrejtje”, u shpreh Gegaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!