Qeveria e Kosovës miraton udhëzim administrativ për rregullimin e çmimeve të karburanteve

schedule11:45 - 22 Qershor, 2022

schedule 11:45 - 22 Qershor, 2022

Qeveria e Kosovës ka miratuar udhëzimin administrativ për rregullimin e çmimeve të derivateve të naftës dhe karburanteve të ripërtëritshme si dhe masave tjera mbrojtëse.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në arsyetimin e saj të paraqitur në mbledhjen e qeverisë, tha se ‘udhëzimi ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe mënjanimin e çrregullimit të tregut’.

Ministrja Hajdari në arsyetimin e saj nuk ka përcaktuar ndonjë çmim maksimal të lejuar për naftën dhe as nuk ka thënë se kur do të ndodh kjo.

Çmimet e naftës janë rritur së fundmi në Kosovë. Aktualisht një litër naftë ka çmimin mbi 1.91 euro.

Ministrja Hajdari tha se në bazë të të dhënave që kanë marrë nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës është vërejtur se ka mospërputhje të çmimeve në Kosovë në krahasim me lëvizjet në tregjet botërore.

Naftarët në Kosovë më 9 qershor, përmes një shkrese drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrave të linjës së ekonomisë, kanë kërkuan që të ruhet ekonomia e tregut të lirë dhe që minimalisht marzha (çmimi maksimal) të jetë: për shitje me shumicë 3 për qind dhe për shitje me pakicë 12 për qind.

“Për shkak të rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, sot Qeveria e Kosovës nga çdo litër naftë dhe benzinë të shitur mbledh rreth 64 centë, apo 12 centë më shumë sesa para krizës globale për litër”, u tha në shkresë.

Sipas naftëtarëve, nëse Qeveria dëshiron të mbrojë konsumatorët, duhet të ulë akcizën dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për naftën, sikurse, siç thanë, kanë bërë vendet e tjera të rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Subjekti opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe naftëtarët kanë kërkuar që për naftën të ulet akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), në mënyrë që të mundësohet ulja e çmimeve.
Naftëtarët patën deklaruar se po rrezikonin që të falimentonin nëse aplikohet një marzhë e ngjashme për fitim, siç kishte vendosur për periudhën 3 mars-31 maj.

Qeveria e Kosovës më 1 mars pati marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale apo marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë.

Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare ishte deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë ishte në 6 për qind.

Çmimet dhe kërkesa për naftë janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!