Ish-zv. Ministri i Jashtëm, Anton Berisha ka deklaruar se siguria është një çështje e ndjeshme në Kosovë. I ftuar në “Ballkan Update”, ai e ka konsideruar qeverinë e Albin Kurtit dembele, pasi nuk ka vullnet politik për zgjidhjen e krizave.
Sakaq, Berisha ka thënë se raporti i Kosovës me NATO-n është më i largët tani se ç’ka qene para 4-5 vitesh.
“Procesi i Integrimit Europian është një proces me shumë kërkesa dhe shumë kohë dhe të bësh anëtar duhet të plotësosh të gjitha kërkesat. Ndërsa anëtarësimi në NATO përveç procedurës ka pasur dhe raste të jashtëzakonshme siç ka qenë i Turqisë dhe i Greqisë, kohët e fundit, dhe së fundmi i Finlandës dhe Suedisë, të cilat nuk e kanë marrë atë planin në mënyrë direkte, për shkak të teksteve gjeopolitike dhe për shkak të sigurisë. Kosova ka pasur të gjitha argumentet që çështja e sigurisë është një çështje e ndjeshme dhe me një politikë të mençur avancoi drejt avancimit në NATO dhe kemi arritur të kemi një person kontaktues.
Mirëpo, qeveria aktuale me keqardhje e them nuk e ka në proekupim integrimin euroatlantik. Do të thotë që e udhëhequr nga një person me një të shkuar politike të shprehur antiperëndimore, ndonëse si kryeministër në mënyrë më të kujdesshme, megjithatë nuk ka bërë asnjë hap për t’u afruar rreth NATO-s. ajo siç thatë prej krize në krizë nuk i ka dhënë kohë asnjë veprimtarie. Në këtë kontekst, raporti i Kosovës me NATO-n është më i largët tani se ç’ka qene para 4-5 vitesh.
Kjo qeveri nuk ka një agjendë euroatlantike. Të gjitha veprimet janë në kundërshtim. Nuk mundesh ti të zhvillosh debate të pafundme me aleatët dhe kundërshtime të panevojshme, të njëtën kohë të jesh i mirëpritur dhe të jesh pjesë e aleancës. Kjo është një qeveri dembele se dhe anëtarësimi në NATO dhe në BE kërkon një varg reformash qoftë në fushën ushtarake, në ekonominë e tregut, në demokraci, por kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk është në detyrën e një kryeministri për t’u marrë me këto detyra. Praktisht, mandati i tij i tanishëm është nga problemi prej problemit dhe asnjë angazhim drejt asaj që duhet të bëjë një qeveri, që si qëllim ka integrimin dhe ndjekja e hapave me qëllim plotësimin e kushteve. Kjo pak a shumë është situata”, u shpreh Berisha./abcnews.al