Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, prezantoi përpara grupeve të interesit vendimin e Këshillit të Ministrava për ndalimin e prodhimit, tregtimit dhe importimit të qeseve plastike. Bizneset kanë dy muaj kohë të marrin masa, më pas ministri Klosi paralajmëroi gjoba të ashpra.
Që nga Korriku i këtij viti, qeset e holla plastike do të dalin nga qarkullimi. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit prezantoi përpara grupeve të interesit amendimet që i bëhen vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2012 dhe paralajmëroi ndëshkime të ashpra për subjektet që e shkelin.
“Shkelësit do të penalizohen nga 1 milion deri 1.5 milionë lekë të reja. Ka pasur një vendim prej pesë vitesh, por nuk u zbatua kurrë”.
Qeset që do të lejohen të përdoren duhet të kenë shenja të qarta identifikuese.
“Lejohen qeset e degradueshme, ato higjeno – stanitare, plastiket e zeza. Çdo subjekt duhet të mbajë informacion për 36 muaj. Qeset do të duhet të kenë inicialet e prodhuesit, datën, shenjën identifikuese që është e degradueshme”.
Ambalazhi plastik është një ndër ndotësit kryesorë të mjedisit në vend dhe më të vështirët për t’u biodegraduar, arsye kjo, që ministri i Mjedisit dhe Turizmit ftoi qytetarët të refuzojnë të shërbehen me qese. Përpara se vendimi i Këshillit të Ministrave të hyjë në fuqi, biznesit do t’i lihet dy muaj kohë të marrë masa, ndërsa ministria do të nisë një fushatë informimi.//abcnews.al