Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një inspektim në kantierin e “Kengo Art Park”. Ai shprehet se është një projekt që po ndërtohet në mes të natyrës së Petrelës në 32 mijë metra katrorë sipërfaqe.
Gjithashtu shton se ky projekt do të shërbejë si një qendër e re për artin dhe kulturën, ndërsa theksoi se është i projektuar nga mjeshtri i arkitekturës, japonezi Kengo Kuma.
“Kengo Art Park” është një projekt unik që po merr formë në mes të natyrës së Petrelës, në një sipërfaqe prej 32 mijë metrash katrorë, duke u shndërruar në një hapësirë të dedikuar për artistët, artdashësit, fëmijët dhe një destinacion të ri për turistët. Projekti mban firmën e arkitektit të njohur japonez Kengo Kuma, një nga emrat më të spikatur të arkitekturës bashkëkohore botërore.
Ky park arti vjen në vijim të investimeve të qeverisë për transformimin e aseteve publike të amortizuara, duke i kthyer ato në qendra arti, kulture, ekspozimi, inovacioni dhe hapësira socializimi për të rinjtë, duke ruajtur njëkohësisht memorien historike dhe vlerat arkitekturore të godinave ekzistuese.

