Policia e Himarës ka vënë në pranga një prej autorëve të dyshuar pas plagosjes me armë zjarri që u regjistrua në Borsh në orët e para të së enjtes. Policia thotë se në pranga ka përfunduar 42-vjeçari Hekuran Çela, ndërsa u shpall në kërkim Edmond Vlashi.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur në ambientet e brendshme të një lokali, pas një konflikti për motive të dobëta ku u përfshinë disa persona.
42-vjeçari Hekuran Çela nga Borshi është dhunuar fizikisht me grushte nga 55-vjeçari Edmond Vlashi. Pas këtij moment, 42-vjeçari është larguar nga lokali duke marrë një armë zjarri automatik me të cilën ka qëlluar në drejtim të automjetit tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin Erald Shullazi.
I riu Shullazi ndodhet aktualisht në spital, pasi ka marrë plagë në shpatull dhe në këmbë. Sipas hetimeve nga policia, Hekuran Çela ka goditur me qytën e armës edhe një 34-vjeçar.
42-vjeçari Hekuran Çela akuzohet për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Ndërsa I shpalluri në kërkim Edmond Vlashi akuzohet për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
Në vendngjarje janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja dhe një krehër me fishekë.
/abcnews.al/

