Policia ka neutralizuar pas disa orësh 71 vjeçarin në Korçë, i cili qëlloi me armë zjarri në ajër nga ballkoni dhe më pas u izolua brenda banesës.
Gazetari Roland Beqiraj raporton se i moshuari, i cili rezulton me probleme të shëndetit mendor, u transportua drejt spitalit të Korçës.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati persona të lënduar. Policia sekuestroi armën e zjarrit kallashnikov, me krehër me municion luftarak.
Më pas, ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë banorët e pallatit ku ndodhi ngjarja u evakuuan ndërsa forcat RENEA “blinduan” zonën.
Sipas dëshmisë së një fqinji të tij, ai nuk njihej si një person problematik. Fqinji tha se zakonisht bëhej agresiv kur parkonin para ballkonit të banesës së tij.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti./abcnews.al