Analisti Mentor Nazarko u shpreh se Donald Trump deri më tani ndryshe nga Biden ka treguar se e ka fituar garën e komunikimit.
Gjithashtu gjatë intervistës në emisionin “Real Story” në “ABC News”, Nazarko u ndal edhe tek qasja e Donald Trump ndaj Kosovës. Nazarko u shpreh se “një marrëveshje Kosovë-Serbi”, mund të ishte një sukses i parë i tij.
Nga ana e tij analisti Frrok Çupi shtoi se Trump ka një shans shumë të madh sepse ishte kur u ndërtua mekanizmi i burgosjes së udhëheqësve të luftës.
Pjesë nga intervista në studio:
Mentor Nazarko: Ka pasur dy presidentë demokratë që janë vrarë dhe ky është i dyti republikan që ka mbijetuar. Retorika e Biden çuditërisht dhe nga paniku i humbjes ka qenë agresive, por gjithsesi ai ka një bilanc rezultatesh pozitive. Duhet të kemi parasysh që kjo është një garë që ka qenë e fortë dhe thuajse SHBA është në “luftë”, pra jemi në fushatë të kohës së luftës. Kur vjen puna tek komunikimi Biden, prej moshës ka disa probleme dhe Trump ka treguar se ka një aftësi të madhe komunikimi, si e ka treguar që me “reality show” ku ka marrë pjesë apo me aftësitë në marketing. Ai e ka fituar garën e komunikimit. Dhe ai ka edhe diçka tjetër sepse në kohën kur Amerika ka qenë në luftë, ai e ka tërhequr nga lufta në mandatin e parë, por dhe tani pritet surprizë në konfliktin Rusi-Ukrainë. E gjithë Presidenca e tij e para ka qenë në shenjën e tërheqjes së luftës. Ndonëse ka këtë agresivitet verbal është kundër lobeve të luftës. Sa i përket lidhjes me çështjen e Kosovës dhe të Thaçit, Grenell në këtë që thotë- ka koherencë, ka shpagim, ka ndjesi lobimi nga Thaçi, por kjo nuk e bën të dëmshëm. Mendoj që ka një skemë juridike që mund ta lirojë duke shfuqizuar Tribunalin që ka dështuar.
Pyetje: A mund te jetë Trump më me pak kosto për të ardhmen e Kosovës?
Mentor Nazarko: Edhe investimet e familjes së tij tregojnë që do të ketë vëmendje në Ballkan dhe mendoj që ka mundësinë edhe për shkak të normalizimit të marrëdhënieve me Rusisë, “si sukses të madh të parë të tij mund të ishte pse jo një marrëveshje Kosovë-Serbi”.
Frrok Çupi: Trump ka një shans shumë të madh sepse ishte kur u ndërtua mekanizmi i burgosjes së udhëheqësve të luftës, Grenell e di këtë gjë. Trump nuk mund të pyesë për persona rastësorë që kanë hyrë në histori.
Mentor Nazarko: Kurti u përfshi në përplasjen Biden-Trump. Por nuk di të ketë mbajtur një qëndrim për atë që ka ndodhur. Pra është pak mister qëndrimi që do të mbajë.
/abcnews.al/