Këtë fundvit është e pamundur të lëvizesh në qytetin e Durrësit. Numri i lartë i makinave për shkak të ardhjes së emigrantëve ka bërë që rrugët të rrinë gjatë gjithë ditës të bllokuara.
Të gjitha rrugët janë të bllokuara. Makinat qëndrojnë kohe te gjate në radhë. Qarkullimi në Durrës është në kolaps. Një situatë e pazakontë dhe që ndodh çdo fundviti. Ardhja e emigrantëve pranë familjarëve të tyre ka trefishur numrin e automjeteve në qytet.
Pavarësisht angazhimit të policëve të qarkullimit në pikat kyçe situata në rrugë mbetet e rënduar.
Ata përpiqen për të disiplinuar trafikun. Por, pak mund të bëhet përballë një fluksi të tillë mjetesh në lëvizje.
Kjo gjendje paraqitet në cdo orë të ditës, nga mengjesi deri në mbrëmje. Rrugët më të ngarkuara mbeten segmentet hyrëse, ato që të çojnë drejt qendrave tregëtare, tregjeve si dhe qendrës së qytetit.
Këtë situatë Durrësi pritet ta përjetojë edhe javën e parë të vitit të ardhshëm.
Kohë në të cilën emigrantët largohen nga vendi ynë, ku bashkë me to bie dhe numri i makinave që lëvizin në qytet.
Gazetare e ABC News, Durrës: Enkeleda Arapi
/abcnews.al