Pylli orbital, mbillen 10 mijë fidanë në parkun e liqenit të Vaqarrit

schedule12:46 - 24 Shkurt, 2019

schedule 12:46 - 24 Shkurt, 2019

Parkut të liqenit të Vaqarrit iu shtuan këtë fundjavë 10 mijë fidanë pishe. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se synohet që këtë vit numri i pemëve të mbjella në Tiranë të arrijë shifrën 100 mijë.

Rreth 10 mijë fidanë pishe iu shtuan këtë fundjavë parkut të liqenit të Vaqarrit. Dhjetëra vullnetarë dhe punonjës të institucioneve  në  varësi të Bashkisë së Tiranës iu bashkuan aksionit për mbjelljen e fidanëve  në këtë zonë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se tani është koha për të rikuperuar sipërfaqet e gjelbra, të cilat janë dëmtuar ndër vite nga dora e njeriut.

“Kemi një ofensivë të së mirës ndaj së keqes, të gjelbërimit ndaj atyre që abuzojnë e që presin pyjet. Kemi arritur një nivel emancipimi, ku sot duhet t’i kthejmë reston natyrës, jo vetëm se kjo është gjëja e drejtë për të bërë për mjedisin, por mbi të gjitha është e drejtë për fëmijët. Një qytet, i cili pret vetë pemët e veta dhe nuk i rimbjell ose nuk rikuperon humbjet, do të thotë se është një qytet pa memorie për të shkuarën, por edhe pa të ardhme për fëmijët e tij”, vijoi kryebashkiaku.

Rreth Liqenit të Vaqarrit këtë vit do të mbillen 50 mijë fidanë të rinj, duke krijuar një oaz qetësie dhe një destinacion alternativ për familjet e kryeqytetit në fundjavë. Veliaj shprehu bindjen se nëse do të vazhdohet me këtë ritëm, kjo do të jetë paja më e mirë që ky brez do t’i lërë gjeneratës së ardhshme.

“Në total do të kemi 30 mijë pisha dhe 20 mijë dafina. Sot kemi vetëm lotin e parë. Jam i bindur se nëse vazhdojmë me këtë ritëm çdo vit, do kemi mundësi jo vetëm të rikuperojmë ç’kemi humbur, por do kemi mundësi t’i lëmë një pajë gjeneratës tjetër që dallon nga paja që na u trashëgua nga prindërit tanë në vitet ’90, ku çdo gjë publike konsiderohej pa zot, prerja e druve u kthye në modë dhe hedhja e plehrave dokudo ishte një lloj norme”, nënvizoi ai.

Synimi i Bashkisë së Tiranës është që deri në përfundim të sezonit të mbjelljeve, kryeqytetit t’i shtohen mbi 100 mijë pemë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!