“Jo një, as dy… por 1056 rrënjë kanabis”. Kështu e nis lajmin një media greke, e cila bën të ditur se një shqiptar është vënë në pranga në “pyllin” e hashashit pas një operacioni të policisë.
Autoritetet sekuestruan 13 pako me kanabis, pesha e të cilave arrinte deri në 118 kilogramë. Ndërkohë gjatësia e bimëve të drogës arrinte nga 2.5 deri në 4 metra.
Sipas përllogaritjeve, nëse do të dilte në treg droga do të sillte një përfitim prej 800.000 Eurosh. Sasia e kanabisit u sekuestrua në zonën malore të Serres.
Për sa i përket shqiptarit të vënë në pranga, mediat shkruajnë se ai është 35-vjeç, por nuk e kanë bërë publik identitetin e tij.
Ndërkohë policia është duke vazhduar hetimet për të zbuluar personat e tjerë që mund të kenë lidhje me rritjen dhe kultivimin e kanabisit.
/abcnews.al