Pyetja e madhe e luftës së Ukrainës: Cilës nga palët do t’i mbarojnë të parës municionet?

schedule08:38 - 13 Dhjetor, 2022

schedule 08:38 - 13 Dhjetor, 2022

Nga Tobin Harshaw “Bloomberg

Përktheu Alket Goce-abcnews.al

“Një ushtri marshon nëpërmjet stomakut!”. Kështu është shprehur dikur Napoleoni apo ndoshta Frederiku i Madh i Prusisë. Kjo thënie ka të bëjë me rëndësinë e madhe që ka mbajtja e forcave të mirë-pajisura, sidomos me ushqim, por edhe me pajisje mjekësore, pjesë këmbimi, pajisje komunikimi, armatime, dhe më e rëndësishmja për momentin:municione.

Ukraina ka treguar një trimëri të jashtëzakonshme, taktika të zgjuara dhe një udhëheqje fenomenal në mbrojtjen ndaj agresionit rus. Por le ta pranojmë:pa armët e dërguara nga Perëndimi, Kievi ka të ngjarë të ishte tashmë një vasal i Moskës.

Vetëm në 6 javët e para të luftës, sipas dëshmisë që dha në Kongres Kryetari i Shefave të Përbashkët të Ushtrisë Amerikane, gjeneral Mark Milley, Perëndimi i dërgoi ukrainasve 60.000 armë antitank dhe 25.000 armë kundërajrore. Deri në maj, ishin harxhuar 1/4 e raketave anti-ajrore “Stinger” të dërguara nga Pentagoni.

Shifrat e sakta është e vështira të gjenden – shumica e re republikane në Kongres po kërkon një auditim – por edhe me ndihmën e shtuar të vendeve evropiane, ritmi i ndihmës është problematik për një superfuqi që përballet me një kërcënim shumë më të madh në të gjithë rajonin e Paqësorit, raporton abcnews.al.

Ndërkohë presidenti rus Vladimir Putin, po kryen një fushatë të pamëshirshme bombardimesh ajrore kundër civilëve ukrainas, për të kompensuar dështimet e trupave të tij tokësore. Edhe me njëfarë ndihme nga Irani, rusët po përballen me një mungesë shumë më serioze municionesh, duke pasur parasysh një bazë industriale, e cila kishte jo pak vështirësi edhe para se Perëndimi ta godiste Moskën me sanksione ekonomike të rënda.

Atëherë cilës nga 2 palët do t’i mbarojnë të parës municionet? Për këtë çështje kam intervistuar një vëzhgues të shquar të Rusisë, Michael Kotkin. Ai është drejtor i programit kërkimor në Programin e Studimeve për Rusinë në Qendrën për Analizat e Marinës.

Sulmet ndaj objekteve ushtarake brenda Rusisë, që supozohet se kanë ardhur nga dronët ukrainas, janë kthesa e fundit e madhe në këtë luftë. Dëmet për momentin janë të vogla. A po ndikojnë këto sulme tek ushtria ruse?

Së pari, është e vështirë të matet me saktësi ndikimi i mundshëm, dhe nuk jam i sigurt nëse duhet të priten efekte të mëdha. Ndoshta mund të shohim një riorganizim të rusëve për fushatën e tyre të sulmeve ajrore. Ndoshta ndikimi më i rëndësishëm do të jetë një nxitje për moralin e ushtrisë dhe popullatës ukrainase.

A jeni i shqetësuar se këto sulme mund të nxitin një cikël të ri përshkallëzimi, në të cilin Perëndimi mund të ndihet shumë nën presion?

Jo, edhe pse nuk do të habitesha nëse disa në Perëndim do të ndiheshin të nervozuar nga sulmet ukrainase ndaj forcës bombarduese strategjike të Rusisë. Rusia po e përdor aviacionin me rreze të gjatë për sulme të rregullta në të gjithë Ukrainën, ndaj këto sulme nuk janë një përshkallëzim, por një hakmarrje.

Kundërofensiva e Ukrainës në vjeshtë ishte një sukses. Por ajo harxhoi shumë municione. A do të jetë në gjendje Kievi të ri-furnizohet gjatë dimrit me ndihmën e Perëndimit? A do të ketë tani një reduktim të luftimeve në front?

Unë nuk kam parë shumë prova të pakësimit të luftimeve. Përkundrazi, po shohim një luftë të qëndrueshme rrënuese, të karakterizuar nga varësia e madhe nga artileria, sulmet e këmbësorisë dhe zjarret me rreze të gjatë dhe me saktësi të lartë. Tani për tani mund të mos ketë ofensiva të mëdha, por në luftë kjo është një periudhë kalimtare, raporton abcnews.al.

Unë jam skeptik nëse secila palë mund ta ndryshojë ndjeshëm situatën e furnizimit, duke e përdorur artilerinë me ritmin aktual. Ukraina ka nevojë për sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore dhe për një furnizim të qëndrueshëm me municion artilerie. Mjerisht, shkalla e përdorimit të tyre i tejkalon normat aktuale të prodhimit në Perëndim.

Për ta bërë më të qëndrueshme situatën, diçka duhet të ndryshojë në kapacitetin e prodhimit dhe të krahut të punës në këtë sektor. Problemet e Rusisë ka të ngjarë të jenë edhe më të rënda dhe të menjëhershme, duke pasur parasysh se sa shumë varet ushtria e saj nga zjarri i artilerisë dhe sasia e madhe e municioneve që duket se ka shpenzuar gjatë pranverës dhe verës. Ushtria ruse do të përpiqet ta përdorë këtë periudhë për t’u ri-furnizuar, ndërsa ushtria ukrainase do të vazhdojë të ushtrojë presion dhe do përpiqet të pengojë përpjekjet ruse për të rindërtuar potencialin e saj sulmues.

Strategjia e re e Rusisë është një fushatë ajrore brutale kundër objektivave civile dhe ushtarake. A mund të fitohet një luftë nga ajri?

Në përgjithësi fushatave bombarduese ajrore u mungon fuqia shtrënguese, dhe sulme të tilla priren të krijojnë më shumë vendosmëri në vend se ta dëmtojnë atë. Megjithatë, kjo luftë nuk po zhvillohet vetëm në ajër. Fushata ajrore është një homologe e fushatës tokësore, si pjesë e strategjisë ruse për ta bërë luftën materialisht sfiduese për t’u vazhduar, duke shpresuar që vendet perëndimore që e mbështesin Ukrainën do të bëhen më të kujdesshme ndaj kostove dhe kohëzgjatjes së konfliktit.

Për më tepër, këto sulme po harxhojnë rezervat e Ukrainës në municionet e mbrojtjes ajrore, dhe me kalimin e kohës synojnë të krijojnë një dilemë, ku Ukraina duhet të zgjedhë midis mbrojtjes së qyteteve përkundrejt vijës së frontit. Nëse ndodh kjo gjë, forcat ajrore rusedo të bëhen shumë më brutale në sulmet e tyre mbi fushën e betejës.

Strategjia e Rusisë duket të jetë kryesisht ajo e konsumimit dhe rraskapitjes, pasi ushtria e saj nuk është në gjendje të ringjallë ndonjë potencial të madh sulmues. Beteja e Bakhmut është një përjashtim, pasi përfaqëson dëshirën e Moskës për ta marrë Donetsk-un pavarësisht kostove të larta.

Nëse Rusia do të rimarrë sërish një territor të konsiderueshëm, a do të jenë forcat e saj më të përgatitura? A do të ndihmojë fluksi i 300.000 trupave të sapo-mobilizuara, apo ishte thjesht një lëvizje e dëshpëruar e Putin?

Numrat nuk janë përcaktues, por ato kanë rëndësinë e tyre në luftë. Mobilizimi i fundit i stabilizoi linjat ruse në front, mundësoi një tërheqje të organizuar nga Kherson, dhe siguroi trupa të reja për t’u hedhur në luftime në Bakhmut. Por është shumë herët të thuhet se çfarë do të bëjnë rusët. Procese të tilla kërkojnë shpeshherë disa muaj për të treguar rezultate.

Në këtë fazë të luftës, ushtria ruse po ndjek më shumë një strategji mbrojtëse. Personeli i mobilizuar mund të mos jetë efektiv në operacionet sulmuese, por mund të jetë i dobishëm në mbajtjen e linjave mbrojtëse, llogoreve, etj. Efekti neto është se mobilizimi mund ta zgjasë luftën, por pa e ndryshuar domosdoshmërisht trajektoren e saj, raporton abcnews.al..

Lufta ka sjellë shpenzime të mëdha për SHBA-në, sidomos në rezervat e saj ushtarake. A do të arrijmë në një pikë kur Pentagoni t’i thotë Ukrainës:”Na fal, por ne duhet të jemi në gjendje të mbrojmë edhe Tajvanin” duke e ngadalësuar ndihmën

Kjo është padyshim sfida më e rëndësishme afatmesme dhe afatgjatë e luftës. Ushtria amerikane nuk është e përgatitur për ta mbështetur mënyrën e luftimit të Ukrainës, e cila varet shumë nga harxhimi i sasive të mëdha municioneve të artilerisë dhe raketave, dhe sektorit tonë të mbrojtjes do t’i duhet pak kohë për të rritur prodhimin.

A mund të përdorë armë bërthamore apo kimike një Putin i dëshpëruar?

Më kanë bërë përshtypje shqetësimet e përsëritura se mund të përdoren armët kimike, gjë që besoj se nuk ka gjasa të ndodhë. Por rreziku i përshkallëzimit bërthamor nuk është i parëndësishëm. Nëse ushtria ruse pëson një disfatë, duke çuar në një efekt domino të gjithë sistemit, atëherë udhëheqja politike ruse mund ta marrë në konsideratë këtë skenar.

Përdorimi i këtyre armëve do të kishte kosto të madhe për Moskën dhe nuk është një opsion tërheqës, por udhëheqësit e dëshpëruar mund të jenë të paarsyeshëm në llogaritjet e tyre.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!