Pyetja e gazetarit për Xhaçkën acaron Ramën: Je në riedukim për 3 muaj

schedule14:17 - 1 Korrik, 2022

schedule 14:17 - 1 Korrik, 2022

Kryeministri  Edi Rama është përplasur ditën e sotme me një gazetar në konferencën e thirrur prej tij. Gazetari Klevin Muka iu drejtua me një pyetje ministres së Jashtme Olta Xhaçka nëse e ka respektuar kodin e ri etik kur është takuar me bashkëshortin e saj biznesmen, që siç thotë ky kod duhet të jetë në praninë e dy punonjësve të administratës.

Rama nuk lejoi që të përgjigjej Xhaçka, por ndërhyri duke i thënë gazetari që përgjigjen do t’a marrë në tetor, pasi sipas tij është në proces “riedukimi” për tre muaj.

Sipas Kodit Etik të miratuar, ministrave te kabinetit u ndalohen takimet private me biznesmenët apo investitorët, dhe në rast se ata takohen duhet te bëhen në prani të dy punonjësve te administratës.

Kryeministri nuk preferoi të japë një përgjigje, duke mos lejuar as ministren, ndërsa “dënoi” gazetarin.

Debati: 

Gazetari: Zonja ministre kam një pyetje vetëm për ju, në 29 prill ka hyrë në fuqi kodi i ri etik për këshillin e ministrave i cili ndalon dhe parashikon sanksione deri në largim nga detyra për ministrat që e shkelin. Një nga pikat është që ministrat nuk duhet të takohen me biznesmenë dhe të takohen vetëm në kushte kur janë në prani të dy punonjës të administratës. Ju e keni zbatuar këtë pikë, a e keni takuar bashkëshortin tuaj biznesmen dhe investitor strategjik nën shoqërinë e punonjësve të administratës apo e keni shkelur?”

Edi Rama: Ti do kalosh një riedukim si Ambrozia për tre muajt e ardhshëm. Nuk je i mirëseardhur në konferenca shtypi.

Gazetari: Kodi etik a do zbatohet po pyes unë dhe ju keni thënë që do ketë sanksione për ata ministrat…

Edi Rama: Kjo është një tjetër shkelje të kodit etik të gazetarit po të them që komunikimi ishte perfekt, pyetja siç e deshi vetë dhe përgjigja shumë korrekte.  Kjo do të jetë përgjigja për çdo pyetja pa asnjë etikë. Ka një proces që quhet riedukim për tre muaj. Përgjigjen e radhës do ta marrësh në tetor.

g.v/abcnews.al