Puyol: Bëmë revolucion me Guardiolën, ja si na trembi të gjithëve

schedule14:40 - 21 Dhjetor, 2019

schedule 14:40 - 21 Dhjetor, 2019

Barcelona e Pep Guardiolës është një nga skuadrat më të mira të historisë së futbollit. Futbollistë fantastikë, lojë spektakolare, gola të shumtë dhe trofe pafund. Ekipi katalanas fitoi 6 trofe në vitin 2009, një rekord absolut.

Carles Puyol i rikthehet viteve të arta në një prononcim për Mundo Deportivo. Ish-kapiteni ndalet te stili i lojës dhe kërkesat e trajnerit. Ajo që kërkonte Guardiola duhej realizuar, përndryshe mund të përfundoje në stol.

Arritëm diçka madhështore dhe zbaviteshim duke luajtur së bashku. Bëmë revolucion, i surprizuam kundërshtarët në sulm dhe në mbrojtje. Bënim shumë presing. Mbaj mend trofeun e parë që fituam në vitin 2009.

Ishte finalja e Kupës së Mbretit kundër Athletic Bilbao. Ata po bënin presing shumë lart, ndërsa Guardiola na kishte porositur të qëndronim pranë vijës fundore për t’i detyruar që të linin hapësira mbrapa.

Goli me kokë i Mesit në finalen e Champions League kundër United

Na shkoi mbarë. Pep na kishte shpjeguar gjithçka me detaje dhe donte që të silleshim në një mënyrë të caktuar në fushë. Nëse një lojtar vendoste të luante ndryshe, do përfundonte në stol. Ishte i qartë dhe i prerë, ne e kuptuam mesazhin e tij.

Finalja e Champions? Vuajtëm shumë në ndeshjen kundër Chelsea, por Iniesta shënoi dhe u kualifikuam në finale. Finalja e Romës kundër Manchester United ishte spektakolare. Vuajtëm në 10 minutat e para, më pas e morëm veten dhe kontrolluam ndeshjen. Eto’o shënoi golin e avantazhit dhe u gëzova shumë, pasi flitej vetëm për largimin e tij“, përfundon Puyol. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!