Putini shqetësohet për Europën: Pasi të na vini embargo do të paguani çmime të larta për energjinë

schedule06:20 - 18 Maj, 2022

schedule 06:20 - 18 Maj, 2022

Vladimir Putin është shprehur ditën e sotme se duke u vënë embargon karburanteve ruse, Evropa rrezikon që të paguajë çmimet më të shtrenjta të energjisë në botë. Agjencia e lajmeve Reuters raporton se presidenti rus është shprehur që është e pamundur për disa vende evropiane që të heqin dorë në terma afatshkurtër nga nafta ruse.

Putin citohet të ketë thënë: “Natyrisht, disa shtete të BE-së, në bilancin energjetik të të cilëve pjesa e hidrokarbureve ruse është veçanërisht e lartë, nuk do të jenë në gjendje të veprojnë për një kohë të gjatë, pra të heqin dorë nga nafta jonë.”

Duke folur në një takim me menaxherë vendas të naftës dhe zyrtarë të qeverisë, Putin tha gjithashtu se sanksionet perëndimore dhe një embargo e mundshme ndaj naftës ruse kanë rezultuar në fakt në një rritje të çmimeve globale të naftës.

Ai tha gjithashtu se sanksionet e vendosura nga Perëndimi kanë nxitur inflacionin në të gjithë Evropën.

Në të njëjtën kohë, presidenti polak Andrzej Duda u shpreh në një konferencë të përbashkët për mediat me homologen e tij hungareze Katalin Novak se Hungaria do të luftojë për të diversifikuar furnizimin e saj me energji.

“Ju lutemi mbani mend se do të jetë e vështirë për hungarezët të diversifikohen nëse fondet evropiane të rimëkëmbjes mbeten të bllokuara,” tha Duda, duke shtuar se ai shpreson që BE të arrijë unanimitetin për aprovimin e paketës së gjashtë të sanksioneve ndaj BE-së. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!