Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) nuk ka “asnjë arsye të dyshojë” në pretendimin e presidentit rus Vladimir Putin se Rusia ka zhvendosur grupin e parë të armëve bërthamore taktike në Bjellorusi.
Mediat e huaja shkruajn se muajin e kaluar Putin ka thënë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg se “kokat e para bërthamore [ruse] u dorëzuan në territorin e Bjellorusisë”, duke shtuar se ato u vendosën atje për “parandalim”.
Rusia ka rreth 4,477 koka bërthamore të vendosura dhe rezervë, duke përfshirë rreth 1,900 armë bërthamore taktike, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë.
Nuk është e qartë se sa nga ai arsenal synon të lëvizë Putini, dhe zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë nuk e kanë konfirmuar publikisht se ndonjë armë është transferuar në Bjellorusi.
Por zyrtarët e lartë të DIA-s i thanë një grupi të vogël gazetarësh të premten se analistët nuk kanë “asnjë arsye të dyshojnë” në pretendimet e Putinit dhe nuk kanë arsye të dyshojnë “se ata kanë pasur njëfarë suksesi” në transferimin e armëve.
Zyrtarët nuk do të zbulojnë pse e besojnë këtë. Ata pranuan se armët janë të vështira për t’u gjurmuar nga komuniteti i inteligjencës amerikane, edhe përmes imazheve satelitore.
Zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë ndër të tjerta kanë theksuar se nuk duket se Bjellorusia kishte përfunduar përmirësimin e objekteve të nevojshme të magazinimit për të strehuar armët taktike bërthamore dhe se imazhet satelitore të disponueshme nuk kishin treguar ndonjë shenjë të llojit të përgatitjeve dhe sigurisë që do të ishin standarde në një strukturë bërthamore ruse.
Ndër të tjera në mediat e huaja shkruhet se ka objekte të ndryshme në Bjellorusi, që datojnë nga epoka sovjetike, që mund të strehojnë disa nga armët.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller, në mënyrë të ngjashme refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve në fillim të këtij muaji se ku janë armët në të vërtetë, por ai tha se SHBA pret që Rusia “të mbajë” detyrimet e saj për mospërhapjen.
Nga ana tjetër presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko tha muajin e kaluar se përballë agresionit, ai nuk do të tregonte “asnjë hezitim” në përdorimin e armëve taktike bërthamore ruse të stacionuara në tokën bjelloruse.
Por zyrtarët e lartë të DIA thanë se nuk besojnë se Lukashenko do të kishte ndonjë kontroll mbi arsenalin. Me shumë mundësi do të kontrollohej tërësisht nga Rusia./abcnews.al