Putin përuron urën në Krime/ Presidenti rus drejton kamionin

schedule18:26 - 15 Maj, 2018

schedule 18:26 - 15 Maj, 2018

Në bordin e një kamioni dhe në postin e shoferit, presidenti rus Vladimir Putin ka përuruar urën e re në Krime, duke dhënë personalisht mesazhin se gadishulli është pjesë e Rusisë.

Presidenti rus Vladimir Putin ka përuruar të martën urën kontradiktore në ngushticën e Kerçit, në Krime, duke drejtuar personalisht një kamion të llojit “Kamaz”. Punimet për urën kanë përfunduar 6 muaj para parashikimeve, edhe pse për pjesën dedikuar trafikut hekurudhor udhëtarëve do t’u duhet të presin edhe një vit. Putin ka qenë në krye të një kolone prej 36 kamionësh që kanë ecur me 40 kilometra në orë, sa ç’është dhe shpejtësia maksimale e lejuar në urën që për njerëzit e zakonshëm do të hapet të mërkurën. “I gjithë vendi ka kontribuar në ndërtimin e kësaj vepre”, ka deklaruar Putin në ceremoninë e përurimit, duke shtuar se të gjitha teknologjitë e përdorura në projekt kanë qenë ruse. Ndërkohë, po të martën shërbimet ukrainase të sigurisë kanë kryer një sërë kontrollesh në redaksitë e agjencisë shtetërore ruse të lajmeve “Ria Novosti” dhe të televizionit “Russia Today” me bazë në Kiev. Kremlini ka reaguar duke e cilësuar operacionin e autoriteteve ukrainase një shkelje të rëndë dhe ka kërkuar një ndëshkim të ashpër nga organizatat ndërkombëtare. Zëdhënësi Dmitri Peskov ka deklaruar se Moska do t’i përgjigjet këtij veprimi të autoriteteve të Kievit, por më parë do të mbledhë më shumë informacione. /abcnews.al