Pas dy vitesh kanë rinisur punimet për projektin Veliera në Durrës. Gjykata Administrative e Tiranës ka pushuar çështjen dhe në zonën e mbrojtur arkeologjike kanë mbërritur mjetet e rënda dhe punëtorët. Qytetarët durrsakë shprehen kundër projektit.
Projekti “Veliera” po zbatohet. Bashkia e Durrësit ka fituar betejën ligjore me shoqërinë civile. Pushimi i çështjes nga gjykata administrative Tiranë, i ka hapur rrugë investimit.
“Për të kapur ritmet e më shumë se dy viteve të humbura, firma kontraktuese ka nisur menjëherë punën. Punëtorët dhe mjetet e rënda po kryejnë punimet pikërisht në zonën e mbrojtur arkeologjike”.
Gjatë rifillimit të punimeve, të cilat mbikëqyren edhe nga arkeologët, një pjesë e murit të bastionit fortifikues të shekullit të 17 u dëmtua. Kjo bëri që të dalin në dritë objekte të reja arkeologjike, një bazament altari dhe objekte monumentale prej mermeri, të përiudhës romake.
Rinisja e punës këtu nuk është mirëpritur nga një pjesë e qytetarëve. Bllokimi i punimeve për më shumë se dy vite erdhi si pasojë e zbulimit të disa rrënojave arkeologjike që dolën gjatë gërmimeve.
Asokohe, shoqëria civile protestoi duke kërkuar anullimin e projektit me vlerë 6 milionë dollarë. Në mars të 2017, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi “sekuestro preventive” duke mos lejuar vazhdimin e punimeve.
Ndërsa më vonë Gjykata Administrative vendosi të pezullojë punimet në zonën arkeologjike “A” duke pranuar pjesërisht padinë, por shpalli moskopetencë për disa pika të tjera të padisë dhe po ashtu lejoi bashkinë që të vijonte punën në pjesën tjetër të projektit.
Për t’u rrëzuar së fundmi nga Gjykata Administrative Tiranë e cila pushoi çështjen.
Gazetare ABC News: Enkeleda Arapi