Dy shqiptarë, të cilët u kapën duke punuar në një fabrikë kanabisi janë dënuar nga gjykata britanike. Pluton Kamberi, 21 vjeç dhe Ervis Bashllari, 31 vjeç, e pranuan që ishin marrë me rritjen e bimëve të kanabisit në një restorant indian në qytetin e Hull-it.
Por të dy shqiptarët thanë përpara gjykatës se ishin të detyruar të punonin që të shlyenin borxhin që kishin marrë për të hyrë ilegalisht në Britani. E gjithë skena u zbulua në Gusht të këtij viti nga bashkëpronari i restorantit. Brenda në fabrikë u gjetën rreth 1400 rrënjë kanabis vlera e të cilës shkonte në më shumë se 1 milion paund.
Kamberi e pranoi përpara autoriteteve rolin e tij. Ai tha se askush nuk e kishte kërcënuar, por pavarësisht kësaj ai ndihej i frikësuar prej tyre. Nga ana tjetër, në telefonin e sekuestruar të Bashllarit u gjetën mesazhe ku kërkohej ushqim.
Ai ka dëshmuar se duhet të paguhej 100 paund në ditë për punën, por kishte tre javë që nuk kishte marrë asnjë qindarkë. Gjithashtu ai frikësohej për familjen e tij në Shqipëri. Avokatja e tij u shpreh se ai ishte detyruar të punonte për shkak të gjendjes së rëndë të nënës së tij dhe të situatës së vështirë ekonomike të familjes së tij.
Dy shqiptarët u dënuan me nga 3 vjet burg. Pas vuajtjes së dënimit ata do të dëbohen për në Shqipëri./abcnews.al