Punimet e nisura nga Bashkia e Lezhës për ndërtimin e kanalizimeve të reja të ujërave të bardha janë shoqëruar me problematika të përkohshme në disa zona të qytetit, pas reshjeve intensive të shiut që nisën mbrëmjen e djeshme dhe vijuan edhe gjatë ditës së sotme.
Si pasojë e sasisë së madhe të reshjeve dhe ndërhyrjeve infrastrukturore në terren, në disa segmente rrugore të lagjes “Besëlidhja” u evidentuan vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve. Policia Bashkiake bllokoi përkohësisht kalimin e automjeteve në rrugën “Faik Konica”, për shkak të nivelit të lartë të ujit, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për dëme në biznese apo banesa.
Problematika u shfaq edhe në zonën e njohur si “Blloku 11 Janari”, ku u regjistruan përmbytje të rrugëve të brendshme, një situatë që përsëritet pas reshjeve intensive, por që këtë herë lidhet edhe me punimet për hapjen e linjave të reja të kanalizimeve të ujërave të bardha.
Për përmirësimin e situatës, ndërmarrja e shërbimeve ka ndërhyrë për të lehtësuar evadimin e ujërave, i cili në disa momente ka qenë i ngadalshëm për shkak të kushteve atmosferike dhe punimeve në proces. Pavarësisht situatës së krijuar, procesi mësimor në shkollat e qytetit ka vijuar normalisht.
Me uljen graduale të intensitetit të reshjeve, situata në zonat e prekura ka nisur të përmirësohet, ndërsa punimet për sistemin e kanalizimeve synojnë të japin zgjidhje afatgjatë problematikave të tilla në të ardhmen.


